Dea e Butrintit - Into Albania

Dea e Butrintit

Muzetë janë pasaportat e historisë së shteteve. Pa dëshmitë dokumentare që ruhen në to, do të ishte e pamundur të çertifikohej e vërteta për zanafillat e qytetërimeve. Shqipëria e ka në kërthizën e saj gjeografike në Tiranë, Muzeun e saj Kombëtar që dokumenton historinë dhe jetën e shqiptarëve.

Hyji Apolon apo Dea e Butrintit

Hyji Apolon, e njohur më mirë si Dea e Butrintit, është një nga kryeveprat që manifeston skulpturën antike të shqiptarëve. Koka është simbol i shumëfishuar në shumë botime e kartolina, si një nga simbolet e trashëgimisë së lashtë të vendit. U zbulua në vitin 1928 nga arkeologu italian Luigi Maria Ugolini gjatë gërmimeve që sollën edhe zbulimin e teatrit të lashtë të Butrintit, në pikën më jugore të Shqipërisë.

Busti i përket periudhës së shekullit të katërt para Krishtit dhe cilësohet si Hyji Apolon që glorifikon bukurinë mashkullore edhe femërore njëkohësisht. Në pjesën ballore duket sikur i ngjan një vajze por në profil studiuesit thonë se i ngjan një djali. Skulptura është punuar në mermer dhe përkufizon një punim në formë vezake që shquan më së miri mjekrën e rrumbullakuar me një gropëz në mes, vetulla të holla e të harkuara bukur, sy të mëdhenj e pasionantë, gojë të vogël dhe buzë të trasha. I gjithë punimi në kompleksitet është një skulpturë unike që bashkon artin, finesën, dhe adhurimin për portretin gjysëm njeri e gjysëm hyjni.

Vendndodhja: Muzeu Historik Kombëtar

 

    National Museum of History, Sheshi Skënderbej (Skanderbeg Square) Get Directions

Explore More