Bazilika Paleokristiane në Lin - Perla e Fshehur e Ballkanit - Into Albania

Bazilika Paleokristiane në Lin – Perla e Fshehur e Ballkanit

Fshati Lin, buzë Liqenit të Ohrit përveç se ofron një bukuri të rrallë dhe peizazh mahnitës është tërheqëse edhe për bazilikën paleokristiane dhe mozaikun, i cili konsiderohet si më i vjetëri në rajonin lindor.

E pozicionuar në majën e kodrës që përbën gadishullin e Linit, bazilika dhe mozaiku është i rrethuar nga të gjitha anët nga liqeni i Ohrit, në një shtrirje ku të lejon të sodisësh këtë mrekulli natyrore që Zoti i ka falur kësaj zone.

 Veçantitë e mozaikut dhe Bazilikës Paleokristiane

Kjo bazilikë është një nga monumentet më të rëndësishme të trashëgimisë kulturore që ruan pothuajse të plotë planimetrinë dhe dyshemenë me mozaikë. Bazilika u zbulua për herë të parë në vitin 1967 nga një ekspeditë humultuese e punonjësve të muzeut lokal të Pogradecit dhe doli në sipërfaqe plotësisht në gërmimet e vitit 1968. Sipas të  dhëna që na ka mundësuar DRTK Korça për IntoAlbanian, Bazilika Paleokristiane së bashku mozaikët i përkasin shek të VI, pasi materialet arkeologjike të zbuluara në dy shtresat kulturore, përfshirë monedha bakri të periudhës së perandorëve romakë Justin (518-527) dhe Justinian (527-565) si dhe enët prej qeramike të periudhës ilire i takojnë gjysmës së parë të mijëvjeçarit I dhe shekujve V-VIII të erës sonë.

Bazilika e Linit, foto DRTK Korçë

Ndër të tjera në të dhënat theksohet se Bazilika ka pasur shtatë ambiente kryesore, të shtruara me mozaikë. Ngjyrat mbizotëruese të tyre janë e bardha, e zeza dhe e kuqja por janë përdorur edhe ngjyra të tjera si kafja, jeshilja, e verdha, portokallia. Ndërsa motivet e përdorura janë ato të skenave të ndryshme si “eukaristia”, motive me gërsheta, skena nga bota ujore, shpendë, lule të ndryshme ku më interesantet janë lulet e lotusit, apo kryqi i thyer simbol i diellit, si edhe disa motive shumë pak të përdorura në mozaikët e tjerë të Shqipërisë, siç janë lepujt dhe bletët. Të gjitha këto elementë që përbëjnë sot bazilikën e Linit kanë ngjashmëri me monumentet e tjera të rajonit. Madje studiuseit mendojnë se ajo është ndërtuar nga të njëjtat atelie ndërtimore e të mozaikëve që vepronin në zonat e liqenit të Ohrit, rreth qytetit të rëndësishëm ilir të Lyhnidit.

Bazilika dhe mozaikët në Lin, foto DRTK Korçë

 Sot një atraksion turistik

Sot kjo Bazilikë së bashku me mozaikun është kthyer në një pikë interesante turistike. Mozaiku i Linit është një trashëgimi e çmuar kulturore dhe njëkohësisht konsiderohet si më i veçanti nga të gjithë mozaikët e tjerë me karakteristika fetare. Pas 20 vitesh mozaiku dhe bazilika, i është nënshtruar ndërhyrjeve, në konservim dhe pastrim, duke u rikthyer kështu bukurinë e saj, si një nga vendet e mbrojtura nga UNESCO. Ndërhyrjet e bëra, tek mozaikët dhe bazilika, gjithashtu ka lejuar edhe hapjen e disa ambienteve të cilat mund të jenë të prekshme nga vizitorët, për të shijuar nga afër këtë monument të kulturës në qytetin liqenor të Pogradecit.

Mozaiku i Linit, foto nga DRTK Korçë

Mozaiku i Linit, foto nga DRTK Korçë

Dhe nëse do të vizitoni Linin do të inpresionoheni nga bukuritë natyrore, kulturën që kjo zonë ka, duke ju lënë një shije të mrekulleshme në memorie dhe dëshirë për t’u kthyer përsëri.

Fshati Lin, foto nga DRTK Korçë

Gadishulli i Lini nga lart, foto DRTK Korçë

 

 

Explore More