Xhamia e Et'hem Beut - Into Albania

Xhamia e Et’hem Beut

A Landmark of Tirana’s City Centre

Një nga monumentet më të vjetër të kryeqytetit, xhamia përbën gjithashtu një nga atraksionet më të vizituara të Tiranës.

Objekti i kultit daton në shekullin e 18-të dhe në fillim të shekullit të 19-të, dhe pavarësisht kohës ruan ende shkëlqimin e një ndërtese tërheqëse.  Themelet u hodhën në fundin e shekullit të 18-të dhe u deshën të paktën 35 vjet për të përfunduar krejt ndërtimin fetar. Punimet u nisën nga Mulla Beu, e u pasuan deri në fund nga djali i tij Haxhi Et’hem Beut. Arkitektura e saj është pjesë e turizmit kulturor në Tiranë dhe të impresionon me harqet, minarenë, dritaret e shumta, sallat e brendshme, kubenë, shkallët dhe fasadat e pikturuara hijshëm. Nëse e sheh godinën nga lart prej ballkonit të Sahatit të Tiranës, e ke të lehtë të vizatosh me sy një sipërfaqe katrore mbi kuadratin juglindor të sheshit kryesor.

Xhamia e Et’hem Beut dhe Sahati i Tiranës. Foto nga IntoAlbania.

Xhamia e Et’hem Beut është ndër të paktat në Shqipëri që i shpëtoi stuhisë shkatërrimtare të regjimit komunist mbi objektet e kultit. Godina është ruajtur deri në ditët tona në gjendjen origjinale, pa ndërhyrje që mund ta kishin transformuar pamjen e sotme. Sallat e brendshme ndriçohen nga dritare të vendosura në rrjeshta paralelë që sigurojnë dritën natyrale të depërtojë në xhami. E gjithë sipërfaqja murale brenda dhe jashtë është dekoruar me afreske të shumta të cilat janë tipike për kulturën e besimit që përfaqësojnë. Edhe punimet e drurit në sallat e brendshme të lutjeve janë të pasura në ornamente dhe forma gjeometrike të stilizuara mjaft mirë, duke reflektuar elegancë në të gjithë kompleksin e besimit islam.

Xhamia e Et’hem Beut, foto nga Egzon Bytyqi
instagram.com/egzonbytyqiphoto/

Arkitektura

Portiku, ose siç njihet ndryshe në dialektin e Shqipërisë së mesme hajati, është i shtruar me gurë që besohet se e kanë origjinën nga rrethinat malore të Tiranës. Hapësira e këtij oborri të brendshëm lejon hyrjen në pjesët e tjera ku kryhen lutjet e besimtarëve. Shkallë të padukshme nga jashtë të udhëheqin drejt kupolës dominuese me veshje gri, mbi çatinë me tjegulla balte. Gjatë orëve të mbrëmjes ndriçimi i dedikuar i xhamisë krijon harmoni ngjyrash dhe formash interesante në sheshin “Skënderbej”. Me sy të lirë dallon se vizatimet e jashtme të xhamisë dominohen nga ngjyrat e ndezura të tokës.

Explore More