Mes historisë, natyrës dhe kulturës - 10 arsye pse duhet të shkoni në Lezhë - Into Albania

Mes historisë, natyrës dhe kulturës – 10 arsye pse duhet të shkoni në Lezhë

Lezha e pasur me histori, traditë dhe kulturë, është një vend i pasur dhe të ofron shumë arsye për ta vizituar në çdo stinë. Më poshtë IntoAlbania ju sugjeron një listë të gjërë me aktivitete dhe eksperienca që mund të kaloni në të.

1. Për historinë mijëra vjeçare dhe ngjarjet historike të saj

Lezha quhet edhe qyteti i heroit kombëtar. Në këtë qytet Skenderbeu themeloi shtetin e parë të Arbërit me Besëlidhjen e Princave (2 mars 1444) dhe vendi ku ka vendosur të prehet përjetësisht Gjergj Kastrioti Skenderbeu (17 janar 1468) e bëjnë këtë qytet shumë të vizituar. Tumat 3500 – 4000 vjeçare (kodër varret ilire mbi kurrizet e malit të Rrencit dhe malit të Kakarriqit dhe Fregen), kalaja mbi qytet dhe shumë zbulime arkeologjike që datojnë që në shekullin e III para Krishtit, janë ndër objektet historike më të frekuentuara.

2. Për natyrën e larmishme

Në Lezhë gjenden male, laguna, det, lum, përrenj, liqene artificialë, kodrina, fusha dhe gjithçka që natyra mund të krijojë. Laguna e parë e mbrojtur në Shqipëri është ajo e Lezhës që sot njihet si kompleksi natyror Kune- Vain – Tale. Shëtitjet gjatë saj janë atraksion turistik ndër më tërheqësit në vendin tonë. Pranë saj është ndërtuar rezidenca e ish Ministrit të Duçes dhe njëkohësisht dhëndrit të tij Konti Ciano e cila u quajt Hoteli i Gjuetisë. Ajo mbart vlera natyrore, histori dhe gojëdhëna që dëgjohen ndërsa sodit një ambient të mrekullueshëm.

3. Për aktivitetet e shumta

Në Lezhë mund të ushtroni peshkimin artizanal në grykëderdhje të Drinit dhe bregdet, vrojtim zogjsh në stacione të ngritura për këtë qëllim në lagunën e Vainit, shëtitje me varka e kajakë në lumin drin dhe në plazhet e Shëngjinit dhe Tales, mbledhjen e bimëve medicionale që gjenden lehtësisht në natyrë apo festën lokale tradicionale Dita e Shtegtarit 15 gusht.

Peshkimi në bregdetin lezhjan, foto nga Gjergji Figuri

4. Për kulturën shpirtërore

Zadrima e Lezhës quhet ndryshe edhe Toka e Shenjtorëve. Janë shumë objekte kulti që përbëjnë ngjarje unike dhe impresionuese. Kisha e Shën Premtes në Balldre, Kisha e Zojës Nunciatë në Lezhë, Kolegji i Troshanit, Kisha e Shën Eufemisë në Kallmet, Kisha e Shën Venerandës në Pllanë dhe Kisha e Martirëve në Blinisht janë motiv për turizmin religjoz dhe kulturor. Në kishën e Blinishtit janë vendosur eshtrat e martirëve të Lumturuar nga Vatikani, At Ndoc Suma dhe At Giovani Fausti.

Kisha e Shën Eufemisë, foto Gjergji Figuri

5. Për artin e thurjes me dorë

Në Lezhë ka ende vazhdimsi artizanati, ndërsa veshjet e larmishme janë ngjyrosja më e bukur në gjerdanin e kostumografisë shqiptare. Veshjet e Kallmetit dhe Pllanës janë unike dhe të pangjashme me asnjë zonë tjetër. Në Zadrimë do të gjeni gjithmonë diçka që është bërë me dorë nga artizanet që ruajnë traditën. Poçeria dhe ky art do të ju dhurojë momente të bukura në fshatin Krajën. Ju mund të merrni gjithmonë ndonjë suvenir si kujtim.

6. Qyteti krijues

Lezha qytet i poetëve, një emërtim jo i rastësishëm por për nga numri i shkrimtarëve dhe poetëve. Poeti mbarëkombëtar At Gjergj Fishta është motiv dhe frymëzim për një letërsi që i kalon përmasat edhe të Shqipërisë. Mos harroni të kërkoni libra që janë shkruar prej tij, sidomos Lahuta e Malcis, pasi do të merrni me vete më shumë se një vepër. Njërëzit e letrave këtu janë të shumtë dhe mjaft krijues. Letërsia e tyre i kalon kufijtë e qytetit dhe levrohen të gjitha gjinitë, por poezia dhe proza janë më të shumta. Në bibliotekën e qytetit do të gjeni librin e dëshiruar.

7. Për bregdetin

Bregdeti i Lezhës është cilësuar si një ndër bregdetet më të pastër në rajon. Plazhet e saj nga Tale në Vain, Kune, Shëngjin e deri tek Rana e Hedhun përbëjnë veçori për të cilat edhe përzgjidhen nga pushuesit. Hapësira të shumta, plazhe të mbështetura në pyje, rërë kurative, peizazh mrekullues dhe mundësi zgjedhjes për të ju përshtatur çdo individi apo familjeje.

8. Për gastronominë e pasur

Kuzhinierët më të mirë në vend kanë ngritur restorantet më të mira në Shqipëri duke sjellë pjatat më të mira për turizmin e kuzhinës. Produkte lokale, pjata tradicionale dhe creative si dhe miqësorë me çdo mysafir, arsye për të cilat çdo vit e më shumë Lezha bëhet destinacioni më i kërkuar i kuzhinës që nis nga deti me pjatat e peshkut dhe vijon drejt zonave rurale me produkte fshati. 

9. Për vendet unike

Emërtimet Kallmet të verës, ullinjve e fasules janë tregues që e bëjnë këtë zonë shumë të veçantë, por këtu do të gjeni më shumë. Gjithçka në këtë zonë është mjaft interesante. Në Kallmet edhe për natyrën, kulturën e trashëguar dhe sidomos për degustumin e verës. Pllana është një tjetër zonë që kërkon vemendje pasi do të ju tërheqë për të mësuar më shumë për historinë dhe gojëdhënat e saj. Gojëdhëna mjaft interesante, qytezën ushtarake në majën e Kunorës dhe objektet e kultit janë diçka ndryshe.

10. Për sportet e natyrës

Mali i Velës, mali i Kakarriqit, Mali i Rrencit dhe zona e Ungrejit janë mundësi për eksploratorët, eskursionistët, ata që duan të zhvillojnë hiking, të udhëtojnë me biçikleta, makina jashtë rruge apo motorë të përshtatshëm për të tilla udhëtime. Gjithmonë do të ketë diçka ndryshe për të cilat do të riktheheni së bashku me miqtë tuaj.

New & Trending

Choose a