Ku të kaloni një gusht larg vendeve të mbipopulluara - Into Albania

Ku të kaloni një gusht larg vendeve të mbipopulluara

Muaji gusht është një nga muajt më të mbipopulluar nga turistët në Shqipëri, ku Riviera Shqiptare, qytetet UNESCO, apo destinacionet e veriut si Thethi e Valbona, janë çdo ditë plot me turistë. Përtej këtyre destinacioneve, në Shqipëri mund të gjeni plot vende interesante për të vizituar apo pushuar, nëse doni të qëndroni larg turmave. Më poshtë po ju paraqesim disa prej tyre:

Lukova

Ky fshat është nga më të veçantët e intimët e Rivierës. Afërsia me Borshin, Qeparoin e Sarandën, bën që shpesh ky emër të harrohet gjatë verës, edhe pse mikëpritja e qetësia që gjen këtu, së bashku me plazhet përreth, do të duhej ta vendosnin shumë më tepër në hartën e turistëve. Nëse doni të shijoni më të mirën e bregdetit shqiptar, e sërish të ndiheni i izoluar, ky është vendi i duhur. Për adhuruesit e kampingjeve, “Gate to Horizon” është një vend vërtet inspirues, me çadrat e vendosura anës detit.

Burimi i fotos: Matthew Storer

Lin

Fshati duket sapo zbret rrugën kombëtare që të çon në Pogradec. Është një gadishull i vogël që hyn butë në ujërat e Liqenit të Ohrit. Dikur quhej “Liqeni i Dritës” ndoshta sepse ndriçohet plotësisht nga dielli përgjatë gjithë vitit. Gadishulli banohet nga disa qindra banorë me shtëpi karakteristike të cilat krijojnë një peizazh të këndshëm me çatitë e tyre të kuqe. Bujtinat akomoduese të ndërtuara së fundmi kanë krijuar vendin e përshtatshëm për një turizëm që i ka të gjitha: komoditetin, poeticitetin, natyrën dhe qetësinë e duhur për ta shijuar si duhet peizazhin.

Në këtë fshat gjendet dhe një nga mozaikët më të vjetër të rajonit lindor. Ky zbulim arkeologjik i përket shekullit te VI-t dhe është i skalitur në dyshemenë e një bazilike të vjetër. Sugjerimi ynë ku të qëndroni: “Vila 43”.

Burimi i fotos: Nikol Likja.

Belsh

Nëse në një fundjavë të bukur me diell nuk keni asnjë plan, bëni mirë të mbani shënime! Belshi dhe liqenet e shumta të zonës së Dumresë (mbi 80 të tilla), janë një alternativë fantastike për të gjithë ata që duan të jenë pranë natyrës, në një destinacion që ende nuk është futur sa duhet në radarin e turistëve. Një nga sugjerimet tona: “Bujtina e Trëndafilave” në Seferan, për shkak të panoramave mbi liqen, si dhe afërsisë me qendrën “Dumrea Pedal”, ku jepen biçikleta me qera, apo dhe lojëra të ndryshme për liqen, si kanoe, paddleboarding etj.

Qendra e Belshit, foto nga IntoAlbania.

Parku Kombëtar Shebenik – Jabllanicë

Parku Kombëtar Shebenik-Jabllanicë afër qytetit të Librazhdit nuk është ende i mbipopulluar. Ky park ka qenë një zonë e ndaluar kufitare përgjatë gjysëm shekulli të diktaturës komuniste. Por me rreth 32% të florës së Shqipërisë që mund të haset në këtë park, pyjet e Rrajcës që janë tashmë pasuri botërore natyrore e UNESCO-s, apo edhe shpellat e eremitëve me piktura murale, ka ardhur koha që parku i Shebenikut të njihet nga të gjithë! Falë tureve përkatëse, mund të bëheni pjesë dhe e aktiviteteve interesante, si vrojtim i planeteve me teleskopë e guida përkatëse.

Vëshëricë field, at Shebenik-Jablanica National Park

Parku Kombëtar Shebenik-Jablanicë. Foto nga IntoAlbania.

Malësia e Kelmendit

Në skajin më verior të Alpeve ndodhet dhe Malësia e Kelmendit, ku ndodhen fshatrat Vermosh, Lëpushë, Tamarë, Vukël, Selcë, Nikç, Brojë etj. Ato arrihen ndjekur rrugën Shkodër – Hani i Hotit – Tamarë – Vermosh, një rrugëtim plot gjarpërime e ballkone panoramike. Duke hyrë në Lëpushë, vlen të përmendet fakti se ujërat e lumit të Lëpushës derdhen deri në Danub. Fshati i Lëpushës është ndërtuar aty ku më parë barinjtë kishin vendosur stanet dhe sot së bashku me Tamarën, tërheqin vizitorë falë peizazheve malore dhe një natyre të mrekullueshme, si dhe bujtinave të këndshme mikëpritëse.

Lëpushë. Burimi i fotos: Nikol Likja.

Rehova në Kolonjë

Rrugica me kalldrëm, shtëpi prej guri e natyrë e qetë! Rehova duket se ka të gjithë ingredientët për të qenë një nga ato destinacionet tipike të fundjavës! E megjithatë ende ky fshat nuk gëzon atë famë që meriton. Rrëzë malit të Gramozit, fshati me 23 kishat përreth duket se është gati për të qenë pjesë e hartës së vendeve turistike. Gatimet speciale të shtëpive pritëse si lakrori me ithra apo me presh e gjizë, si dhe pispilia, janë vetëm disa nga shijet autentike të zonës që do provoni kur të jeni këtu. Edhe fshatrat e tjera përreth Korçës janë gjithashtu një opsion i mirë për të pushuar në gusht.

Rehova. Foto nga IntoAlbania.