National Geographic: Bunkerët-muze të Shqipërisë një zgjidhje e veçantë dhe artistike - Into Albania

National Geographic: Bunkerët-muze të Shqipërisë një zgjidhje e veçantë dhe artistike

Prestigjiozja globale tregon sesi bunkerët, duke u transformuar në pamje dhe funksion, janë kthyer në simbolin e largimit nga e kaluara për popullin shqiptar.

Revista e mirënjohur National Geographic i dedikon një shkrim të detajuar Shqipërisë, kryesisht Tiranës dhe fenomenit të bunkerëve të kthyer në muze. Artikulli tregon më tej edhe mbi historinë e transformimit të Tiranës gjatë tri dekadave pas rënies së Komunizmit.

Në shumë vende të ish-bllokut të lindjes, ndërtesat komuniste dhe strukturat ushtarake të Luftës së Ftohtë u shkërruan pas rënies së Murit të Berlinit. Në Tiranë, sipas NatGeo, qeveria dhe artistët lokalë kanë zgjedhur mënyra më të pazakonta për tu larguar nga vitet e diktaturës dhe depresionit ekonomik.

Bunk’Art 1

Bunk’Art 1, Tiranë, foto nga IntoAlbania

Nisma e transformimit të Tiranës ka filluar kohë më parë, kur pallatet e rrënuara të kryeqytetit u kthyen në kanavacë gjigandë për artet abstrakte apo kubiste. “Pjesa më e madhe e meritave i takon ish-kryebashkiakut Edi Rama, piktor i kthyer në politikan (tani Kryeministri i Shqipërisë), i cili filloi një përpjekje për zbukurimin e të gjithë qytetit,” – sipas National Geographic.

Pallatet Agimi në Tiranë. Foto nga IntoAlbania.

Nat Geo tregon se si një muze brenda një bunkeri duket si një mënyrë tejet kreative dhe efikase për të treguar historinë e veçantë të vendit. Transformimi më i gjetur ishte pikërisht ai i Bunk’Art I dhe II, dy muzetë historikë dhe galeritë e artit që tashmë kanë marrë vendin e dy ish-strehimeve bërthamorë nëntokësorë të ndërtuara për Enver Hoxhën dhe aleatët e tij. Tashmë, mes dhomave me ngjyra të ndezura pa dritare, dhe dyerve të trasha prej çeliku, të ndërtuara për të mbrojtur udhëheqësit e partisë nga një shpërthim bërthamor, ka instalacione nga më të ndryshmet, artefakte dhe art bashkëkohor shqiptar të shekullit të 20-të, si edhe historikun e pushtimin italian fashist nga 1939-1944 dhe, patjetër, epokën komuniste.

Bunk’Art 1

Interier i Bunk’Art I. Foto nga IntoAlbania.

Nuk ka patur pak kritikë drejtuar transformimit të bunkerëve apo “ngjyrosjes” së strukturave të komunizmit. Shumë ende mendojnë se ky është një mjekim sipërfaqësor i një plagë të thellë që ka pësuar vendi, pasi jo gjithçka mund të fshihet pas ngjyrave. Por, shumë të tjerë mendojnë se ato ngjyra dhe transformime kanë kontribuar drejt një optimizmi kolektiv, ndoshta jo gjithëpërfshirës por të mjaftueshëm për të ecur përpara.

“Muret e pikturuar në lagjet e vjetra si Pazari i Ri dhe Ali Demi tani tërheqin turistë dhe muralet në rrugë, të ndaluara gjatë kohës së Komunizmit, kanë lulëzuar në të gjithë qytetin.” – National Geographic

Po kështu, edhe për rijetëzimin e Piramidës ka shumë që mendojnë se restaurimi tregon një zgjidhje sipërfaqësore për probleme më të rënda të cilat ende ekzistojnë. Megjithatë, në nivel global, këto përpjekje për të rijetësuar të kaluarën pa e shkatërruar tërësisht mbeten me vlerë, sipas National Geographic.

Projekti i ri i Piramidës nga MVRDV. Foto nga Arch Daily.

Për të lexuar artikullin e plotë “Once a state secret, these Albanian bunkers are now museums,” botuar në 25 Mars 2021 në National Geographic, klikoni këtu.