Muzeu Onufri - Into Albania

Muzeu Onufri

Kryeveprat e ikonografisë shqiptare

Jemi para Altarit të Shenjtë me skenat biblike të gdhendura e të piktuara në ikonostasët e Katedrales “Fjetja e Shën Mërisë”, e vetmja kishë që ka rezistuar brenda kompleksit të dikurshëm mitropolit, aty ku ndodhet edhe Muzeu Kombëtar Ikonografik Onufri. Ndërtuar në vitin 1797, kjo katedrale qendron në pikën më të lartë të Kalasë së Beratit. Brenda godinës dy-katëshe të punuar në gur, ikonstasi shfaqet me gjithë dritën e ngjyrat e tij. I krijuar në vitin 1807, ai është një nga realizimet më të mirë të mjeshtrëve të drugdhendjes shqiptarë të shekullit të 19-të. Ikonostasi merr gjithë hapësirën e interierit të katedrales, me 12 ikona mbretërore si edhe 27 ikona të vogla festive. Të gdhendura në dru e të lara në flori, ikonat mbretërore, objekte nderimi dhe adhurimi, janë madhështore. Objekte mjaft të rëndësishëm janë edhe katër ikonat qëndrore, në dy anët e derës mbretërore. Në të majtë të ikonostasit gjenden ikonat e “Jezu Krishti Pantokrator” dhe “Johan Pagëzori” ndërsa në të djathtë ndodhen ikonat e “Shën Mërisë” dhe “Fjetja e Shën Mërisë”.

Pasi kalon përmes ambjentit hyjnor të Kishës, të shfaqet Muzeu Onufri, i cili, i ndërtuar në vitin 1986, lë gjurmën e tij të kuqërremtë tek vizitori. Muzeu mban emrin “Onufri”, për të nderuar kryemjeshtrin e pikturës shqiptare të shekullit të 16-të, i cili ka krijuar një trashëgimi të pasur të krijimtarisë ikonografike. Muzeu Kombëtar Ikonografik përmban një koleksion prej 173 objekteve të përzgjedhura nga fondi i kishave dhe manastireve të Shqipërisë dhe qytetit të Beratit. Ky muze shtrihet brenda sallës qëndrore të kishës, në mjedisin e altarit, si dhe në disa mjedise të tjera në katin të parë dhe të dytë të Katedrales. Në këto salla janë ekspozuar veprat më të mira nga Onufri, Nikolla, i biri i Onufrit, Onufër Qiprioti, David Selenica, Kostandin Shpataraku dhe Çetirët (Gjergji, Johani, Naumi, Nikolla dhe Gjergji i riu), si dhe nga shumë piktorë të tjerë anonimë. Veprat e tyre janë nga më të bukurat, me ngjyrat e ndezura e të florinjta të cilat duken qartazi të frymëzuara nga një fuqi hyjnore.

Por, si me çdo artist të madh, ky udhëtim me Onufrin nuk mbaron këtu! Vizitorët dalin nga Katedralja në ndjekje të “të kuqes” së paharrueshme të mjeshtrit, me frymën e tij të shpërndarë pothuaj në çdo kishë që ndodhet në Kalanë e Beratit!

    Maj - Tetor, Çdo Ditë 9:00 - 18:00 Nëntor - Prill, E Martë - E Shtunë, E Diel 9:00 - 16:00, 9:00 - 14:00
    Berat Get Directions
    2 orë

Explore More