Kisha e Thethit - Into Albania

Kisha e Thethit

The Picturesque Landmark of the Northern Village

Pozicionuar në zemër të fshatit të Thethit, kjo kishë është padyshim simboli i kësaj zone, dhe një nga kartolinat më të bukura që ofron Shqipëria.

Kisha e Thethit

Një luginë e rrethuar nga malet, shtëpiza të reja ndërtuar në harmoni larg njëra-tjetrës dhë një rrugë që gjarpëron si arterie mes tyre, është peizazhi epik i zonës ku ngrihet Kisha e Thethit. Gjurmët e kishës së vjetër datojnë në vitin 1892 dhe në po atë vend shtëpia e Zotit u ringrit në formën që ka sot, modeste por shumë e dashur. Famulltari i parë i kishës dikur jetonte pranë saj por kohët e reja që sollën edhe rindërtimin e bënë Kishën e Thethit shtëpinë e të gjithë malësorëve të luginës. Historia e kishës është e lidhur me emrat e patriotëve e klerikëve shqiptarë që ju dedikuan atdheut dhe kulturës kombëtare, si për shembull At’ Shtjefën Gjeçovi, i cili ka shërbyer edhe në këtë kishë.

Kisha e Thethit. Burimi i fotos: Matthew Storer.

Ndërtimi

Gjatë diktaturës kisha u mbyll. Objektit ju ndryshua destinacioni duke e përdorur për shërbime komunitare. Pas viteve ’90 për rindërtimin e saj financuan vetë banorët dhe të afërmit e tyre nga emigracioni. Kisha ka marrë formën e dikurshme, ngrihet e urtë mbi luginë dhe rrezaton fuqinë e dashurisë për Zotin dhe jetën. Ndërtimi i përshtatet karakterit të arkitekturës së malësive të thella. Ndërtesa është e tipit kullë që mbështetet në një kolonë masive ku kulmon kryqi katolik. Pjesa e pasme e kishës vjen në formë gjysëm rrethore, mbuluar po nga një çati rrethore që hyn butë në mënyrë harmonike tek mbulesa e madhe e ndërtesës kryesore.

Kisha e Thethit. Burimi i fotos: Matthew Storer.

Kur ta vizitoni 

Pamja e kishës është spektakolare në çdo stinë. Gurët e saj të bardhë shkëlqejnë në verë dhe pranverë nga dielli i stinës. Por pamja është përrallore në dimër kur bora mbretëron luginën dhe shkëlqimi i rrezeve të mekura të dritës bie mbi kryqin e Kishës së Thethit.

Explore More