Kosherja - Into Albania

Kosherja

Kur tapas vijnë me shije tradicionale

Një nga restorantet më të rinj në kryeqytet, Kosherja, është i pozicionuar në një nga zonat më popullore të Tiranës, mu në rrugicën mbrapa Piramidës. Kosherja, ashtu siç ka dhe emrin, është një vend i ngrohtë dhe mikëpritrës. Përmes një hapësire të konsiderueshme ku të gjithë mund të gjejnë lehtësisht rehatin e tyre, ky do të ishte vendi i duhur për një kafe, drekë, koktejl pas pune apo edhe një darkë mes miqsh. Mbi të gjitha, përmes një menuje mjaft interesante, ky është vendi i duhur për të provuar gjëra të reja.

Pickimet e Kosheres

Pickimet e Kosheres, foto nga IntoAlbania.

Kuzhina e ndërthurur vjen përmes çmimeve të ndryshme, të konceptuara për t’i dhënë mundësinë klientit të provojë sa më shumë shije të ndryshme të jetë e mundur. Tek sa në restorant mund të gjeni dhe pjata tipike, me përmbajtje mishi apo peshku, zgjidhja ideale do ishte të provonit pjatat stil tapas që kosherja i quan pickime. Këto pickime vijnë me çmime të favorshme, në mënyrë që të miksoni plot pjata të shijshme në sasi të vogël, e t’i ndani me të tjerët.

Është kjo veçanti ajo që i jep Kosheres pikën e saj më të fortë. Disa nga pickimet tona të preferuara të kosheres janë suxhuku me limon dhe rozmarinë, japraku, pllaqitë me suxhuk gjakove, sufle spinaqi apo djathrat miks me gliko përmeti. Mbani parasysh se edhe pse në përmasa të vogla, këto pjata janë të pasura në shije, e bëni kujdes mos ta eksagjeroni me porosinë.

Për sa i përket ushqimit të detit, peshqit e vegjël të skuqur me susam, saganaqi, apo sardelet e furrës me uthull e rigon, do ju bëjnë të lëpini gishtat. Specialitetet e mishit janë gjithashtu për t’u patur në konsideratë, ku spikat brinja e gicit me salcë barbeque në furrë, apo fileto e viçit me tartuf.

Sigurohuni të lini pak vend për ëmbëlsirat, pasi edhe aty do të gjeni një larmi zgjedhjesh. Të preferuarat tona janë mousse kosi me kumbulla të thata të marinuara, mousse uzoje me luleshtrydhe, krem maskarpone me biskotë e çokollatë, apo kasata tradicionale.

Kasata

Ëmbëlsira kasata, foto nga IntoAlbania.

Të tjera elemente pozitive të eksperiencës te Kosherja janë vendndodhja, birra e freskët dhe emrat e verërave, si dhe arredimi mjaft modern e i ngrohtë.

 

Explore More