“Vena”: Vendi ku vera shijohet si askund tjetër - Into Albania

“Vena”: Vendi ku vera shijohet si askund tjetër

Falë një ambjenti mjaft komod e intim, elokuencës e thjeshtësisë së sommelier-it Fation Tila, si dhe mbi 350 etiketave të verërave e pijeve të tjera, të shoqëruara nga një restorant me gatime fine, “Vena” po kthehet në një nga vendet më popullore të verës e jo vetëm në Tiranë.

“Në verë ndodhet e vërteta”, thotë një proverb i njohur që na vjen që nga antikiteti. Nëse doni t’a gjeni atë të vërtetë në Tiranë, duhet të shkoni te “Vena”! Kështu quhet vinoteka-bar-restoranti i hapur nga sommelier-i Fation Tila, që ka nisur të jetë një pikë referimi jo vetëm për adhuruesit e verës, por edhe për të gjithë ata që prej kohësh ishin në kërkim të një vendi me një identitet të spikatur, ku mund të pihet apo haet diçka deri vonë, apo dhe të krijohet shoqëri thjeshtësisht e pa komplekse.

Brenda vinotekës. Burimi i fotos: “Vena”.

Vinoteka

Mbi 350 etiketa të zgjedhura verërash nga e gjithë bota, që nga markat shqiptare, italiane, franceze, spanjolle e deri te ato neo-zelandeze apo argjentinase, janë rreshtuar bukur në një ambjent unik, ku jo vetëm shitet verë, por edhe degustohet e shijohet për më të interesuarit përmes eventeve të krijuara apostafat.

“Vena” e merr emrin nga vera, ashtu siç thërritet zakonisht pija në veri. Vinoteka na rrëfen sa për verën, aq edhe për krijuesin e saj, Fationin. Pasi jetoi për 15 vite në Itali, ku punoi në restoracion, prej nga mori dhe profesionin e sommelier-it, ai u kthye në Shqipëri për të hapur këtë ambjent që sipas tij i mungonte kryeqytetit të vendit. “Më pëlqente shumë ideja e të krijuarit të një hapësire ku njerëzit vinin, e gjenin një profesionist, me të cilin mund të këshilloheshin për verën.”,- na thotë Tila.

Fation Tila, burimi i fotos: “Vena”.

Në Itali ai kreu dhe studimet për shkenca sociale, të cilat e kanë njohur më në thellësi me shoqërinë dhe psikologjinë njerëzore. Është pikërisht kjo njohje që e ndihmon atë të transmetojë lehtësisht pasionin e tij për verën dhe tek vizitori më i pastërvitur. “Kontakti me verën duhet të vijë sa më i thjeshtë, duke ditur sa e komplikuar është ajo,” – na thotë Tila. Falë këtij komunikimi klientët e kanë të lehtë të vijnë këtu, sa herë duan një sugjerim për verën që do të marrin në një drekë apo darkë të caktuar, apo edhe kur duan të provojnë shije të reja nën udhëzimin e Tilës.

Burimi i fotos: “Vena”.

Ambjenti dhe restoranti

Ndikimi italian duket në konceptimin e “Venës” si një hapësirë ku personaliteti i krijuesit të saj ndërthurret me vetë vinotekën. Kështu, tek sa në mure gjejmë piktura të Fationit apo babait të tij, tryeza prej druri është e punuar po nga i ati, dhe me vjetërsinë e saj e bën më intime e origjinale atmosferën. Nuk mund të mungonin as recetat e të ëmës, si qoftet e shtëpisë apo byreku me qumësht, të cilat janë pjesë përbërëse e menusë së restorantit.

Kuzhina i vjen në ndihmë verës, dhe të gjitha pjatat shoqëruese janë menduar që të ndihmojnë në degustimin e pijeve të ndryshme. Nuk mungojnë djathrat, proshutat italiane apo spanjolle, por edhe ngacmime të tjera të lehta për stomakun, apo edhe pjatat tipike me baze mishi apo peshku.

E nëse doni të provoni pije të tjera, që nga birrat artizanale të freskëta, tek uiski, konjaku apo koktejlet, këtu të gjitha pijet trajtohen me të njëjtin pasion ashtu si dhe vera.

Pijet e ndryshme në vinotekë , burimi i fotos: “Vena”.

Falë dy hyrje-daljeve, vinoteka është plot me hapësirë, dritë, e ambjente të ndryshme që e kthejnë në “një shtëpi” komode për këdo. Në katin përdhes Tila ka krijuar dhe një ambjent më të izoluar, ku shfaqen herë pas here filma të vjetër, apo ku klientët mund të kalojnë kohë të pashqetësuar nga të tjerët.

Dhoma Privé, burimi i fotos: “Vena”.

Për çdo buxhet

Dedikimi i Tilës për verën bën që ai ta shohë këtë ambjent si një vend që duhet të mirëpresë këdo që ka pasion lëngun elegant, pa u shqetësuar për portofolin. Për këtë arsye disa herë në muaj “Vena” organizon takime degustimi, ku degustimet nisin që nga 1000/2000 lekë të reja, me bufe finale të përfshirë në çmim, deri në 7000 lekë të rinj, për ata që duan të njihen me  disa shishe mjaft të veçanta e të shtrenjta njëherësh.

Burimi i fotos: “Vena”.

Çdo të hënë është krijuar gjithashtu dhe tavolina e të apasionuarve, ku njerëz të çfarëdoshëm mund të rezervojnë takimin që ka veç një rregull: çdo i ftuar merr një shishe me vete, në mënyrë që të degustohen sa më shumë verëra. Çmimi për të ndjekur këtë mbrëmje është 400 lekë, që vendoset për të justifikuar kostot e shërbimit. Ambjenti i të hënës është gjithnjë argëtues, me të pranishmit që nën efektin e venës, ndajnë bukur eksperiencat, njohuritë e kulturën e tyre.

E vërteta

Por vera mban të vërtetën jo vetëm të atij që e pi, po edhe të sajën. Sommelier-ët kanë fatin të dinë ta zbërthejnë atë duke përdorur më së miri të gjitha shqisat, të të parit, nuhaturit, shijuarit. Fationit e bën këtë mjaft natyrshëm, duke na hapur dhe ne portat e degustimit të një Valpolicella-je. Zgjedh këtë verë duke dashur t’i bëjë tribut dhe Veronës, qytetit ku jetoi e banoi, e ku ndodhen kodrat e famshme të kantinave të Valpolicella-s. “Nëse do të analizonim emrin, val vjen nga valle, luginë, poli do të thotë shumë, dhe cella vjen nga latinishtja, pra qilar, Valpolicella është lugina me shumë qilarë, ose kantina. Që këtu e dy mijë vite përpara zona njihej për pijet e saj,” – na thotë Tila.

Fationi na njeh me historikun e Valpolicellas, e mandej kantinës së përzgjedhur për degustim. I gjithë procesi i të njohurit me verën është një art më vete. Për habinë tonë, të gjithë analizën paraprake që Tila e bën përmes të parit e të nuhaturit, e konfirmojmë përmes shijimit të verës. Shija është vërtet e pjekur, me një tymosje të lehtë, e me një prekje mineralesh, ashtu siç e pat parathënë nga aroma apo nga lotët e verës që zbrisnin goxha ngadalë.

Tek sa ka ndjekur plot seminare e trajnime me ata që konsiderohen kampionët e sommelierisë në nivel botëror, Tila në vitin 2015 u shpall “Sommelier-i më i mirë i Shqipërisë”,  e ka përfaqësuar vendin në disa aktivitete e konkurse nëpër botë.

Burimi i fotos: “Vena”.

“Vera është një pije që nuk krahasohet me asnjë pije tjetër. Ajo krijohet në varësi të tokës, të klimës, të natyrës, të fatit. Por edhe në varësi të traditës. Vera ka të bëjë dhe me nivelin e civilizimit të një shoqërie,” – na thotë Fationi.

“Njerëzit duhet ta shijojnë verën si diçka magjike, por që i ofrohet si pije e përditshme,” – shprehet ai, tek sa ne vazhdojmë shijojmë Valpolicella-n. Edhe pse jemi shumë larg të qenit degustator të mirëfilltë vere, falë shpjegimeve paraprake të Tilës, si dhe ambjentit aq të ngrohtë të “Venës”, e shijojmë verën si rrallëherë.  Jemi në vendin e duhur për t’u apasionuar e njohur më në fund si duhet me të.

    08:00 deri në 24:00
    Rruga Komuna e Parisit Get Directions

Explore More