Mali i Korabit, çatia e Shqipërisë - Into Albania

Mali i Korabit, çatia e Shqipërisë

Malësitë e Dibrës janë çatia e Shqipërisë dhe kulmojnë me Malin e Korabit. Mali ndahet mes Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut por maja e tij më e lartë kulmon në Shqipëri me 2764 metra. Korabi rrethohet nga parku kombëtar me të njëjtin emër dhe njihet për bimësi dhe faunë fantastike që nuk është dëmtuar nga fenomenet e zhvillimit urban. Parku rrethohet nga liqene alpine, hone mbresëlënëse të cilat mbështeten mbi vargmale që fshihen pas pemëve të harlisura. Pranë tyre frymojnë fshatra të vegjël me pak banorë.

Turizmi

Parku dhe mali vizitohen çdo vit nga mijëra vendas dhe të huaj. Dikush pëlqen të eksplorojë natyrën dhe përrenjtë e fshehur mes luginave, dikush është bërë gati për hiking, dikush tjetër vështrimin e ka ngulur në kreshtat e Korabit dhe është gati për sfidën e radhës në alpinizëm. Nuk mungojnë edhe ata qe thjesht shkëputen nga qytetet e mëdha me të vetmin qëllim, të takojnë natyrën dhe t’i dorëzohen asaj pa kushte. Parku është fillesa e turizmit malor dhe natyror. Zona e malësive të Dibrës njihet për më shumë se 50 monumente natyre të cilat ruhen me fanatizëm nga banorët.

Mali i Korabit, foto nga Egzon Bytyqi.
instagram.com/egzonbytyqiphoto/

Drejt Korabit

Ngjitjet drejt Korabit nisin zakonisht nga Radomira, një fshat i vogël rrëzë malit. Pas tij përshkohen shtigje e lugina që disa herë lagen nga ujërat e Drinit të Zi. Rruga është e gjatë, duhen disa orë ndaj merrni me vete pajimet dhe ushqimet e nevojshme. Vishuni lehtë me teshat që përballojnë udhëtime të tilla dhe me këpucë alpine që nuk rrëshqasin mbi shkëmbinj.

Nga Tirana drejt Radomirës duhen rreth 3 orë me makinë sepse distanca për t’u përshkuar është 180 km. Një tjetër rrugë kryesore që popullohet më shpesh është nga Tirana drejt Kalasë së Dodës dhe më pas grupet ndahen sipas shkallëve të vështirësive që mund të përballojnë. Zagradi është gjithashtu një fshat i vogël që zakonisht përdoret si vend fushimi apo shlodhjeje për të marrë forcat drejt ngjitjes apo në të kundërt. Në faqen online të Bashkisë së Tiranës keni informacion të bollshëm për udhërrëfyesit dhe operatorët turistikë që mund t’ju drejtojnë drejt destinacioneve të tilla kaq tërheqëse.

Mali i Korabit, foto nga Egzon Bytyqi. instagram.com/egzonbytyqiphoto/

Infrastruktura

Zona ka infrastrukturë të përzier disa herë modeste, disa herë të mirë por ende banorët lokalë janë në sfidë për turizëm masiv. Grupet e alpinistëve sfidojnë lartësitë që arrijnë retë dhe prezenca e tyre është e zakonshme tanimë për fshatarët e Korabit. Guidat lokale janë të përgatitura për të udhëhequr një udhëtim fantastik, rrethuar nga natyra e virgjër e paprekur nga dora e njeriut.

Mountain, Hiking, North Albania

Photo credits: Fation Plaku.

Mbani parasysh

Nëse jeni duke bërë ngjitje, bëni kujdes pasi mund të hasni në shumë qenj stani, të cilët mund të sulmojnë në çdo moment.

 

Explore More