Book Your Stay
Book Your Flight
Në lartësinë e 1344 metrave dhe falë vendndodhjes mes maleve e pyjeve, Dardha, ky fshat 300-vjeçar, është një nga fshatrat turistikë më surprizues në Shqipëri.
Një prej tipareve më dallues e te bukur të fshatit turistik të Dardhës, është peizazhi i tij i paharrueshëm, ku karakteristikat e çdo stine pasqyrohen më së miri. Shtëpi prej guri, kurora të gjelbërta pyjesh që vishen me të bardhe në dimër, dhe nje pastërti ajri që të mbush mushkëritë e të bën të ndjehesh i rigjeneruar plotësisht. Këto cilësi kanë bërë që në Dardhë vit pas viti të shtohet numri i turistëve, si dhe i atyre banorëve të rinj, që zgjedhin të ndërtojnë shtëpinë ideale të pushimit pikërisht këtu.
Sipas gojëdhënës për prejardhjen e emrit, kur i pyesnin banorët e parë të fshatit se ku ndodheshin, përgjigja e tyre ishte ‘tek stani nën dardhë’, duke ju referuar një dardhe të egër që ishte e pranishme në atë zonë. Vetë fshati u themelua 300 vjet përpara nga të ikurit që donin t’i shpëtonin ndërrimit të fesë gjatë Perandorisë Osmane. E jo rastësisht është pikërisht ajo, liria, ndjesia më e fuqishme që përjeton kur viziton Dardhën dhe zhytesh në ngjyrat e përsosura të natyrës së saj.
Dardha në dimër. Burimi i fotos: Taverna Hotel Iliri, facebook.com/tavernahotel.iliri.dardhe.
Përfytyroni pak një qoshe të ngrohtë pranë zjarrit, me një libër të mirë pranë vetes apo një film klasik bardh e zi në sfond, tek sa jashtë bie dëborë për ditë e javë të tëra. E tillë është Dardha në dimër, thjesht magjike! Oxhaqet ndizen e prej shtëpive të gurta të veshura nga bora dalin në sinkron retë e hirta të cilat e bëjnë akoma më përrallore pamjen që shfaqet përpara. Të shumtë janë ata që zgjedhin të provojnë dhe skitë, sport i cili prej vitesh mund të praktikohet dhe përmes paketave të posaçme.
Dardha në dimër. Burimi i fotos: Taverna Hotel Iliri, facebook.com/tavernahotel.iliri.dardhe.
E tek sa dimri shënohet nga e bardha, stinët e tjera luajnë të treja me një tablo të rrallë ngjyrash, që të bëjnë të kuptosh lehtësisht pse prej këtij fshati kanë dalë plot piktorë e artistë që kanë lënë gjurmë. Që prej familjes së njohur të piktorëve Zengo që vazhdon traditën deri në ditët e sotme, e deri tek Kostandin Zografi apo shkrimtari Teodor Laço, ky fshat i vogël ka nxjerrë vërtet emra të mëdhenj për artin dhe kulturën shqiptare.
Dardha gjendet 20 km në juglindje të Korçës. Nëse ndiqni itinerarin Tiranë – Korçë, pas rreth tri orë e gjysmë vazhdoni në drejtimin që të të çon për Ersekë, deri sa t’ju shfaqet në të majtë të rrugës kryesore tabela “Dardhë – pikë turistike”.