Book Your Stay
Book Your Flight
Nëse do të vizitoni Korçën, nuk mund të mos ndaloni në shkollën e parë shqipe, të njohur si “Mësonjëtorja”. Data e hapjes së saj festohet çdo vit në shkollat e vendit, dhe njihet si “Dita e Mësuesit”.
Në një nga zonat më popullore të Korçës të njohur si Pedonalja, ndodhet dhe Muzeu “Mësonjëtorja e Parë Shqipe” që ndodhet përballë “Ushtarit të Panjohur”. Muzeu është ngritur në godinën ku më 7 mars 1887 u hap e para shkollë shqipe e njohur si “Mësonjëtorja”, me një karakter laik dhe kombëtar.
Brenda muzeut gjendet fotokopja e abetares së parë shqipe e shkruar nga patrioti Naum Veqilharxhi, si dhe abetarja e dytë e patriotit tjetër Kostandin Kristoforidhi. Në katin e dytë është ruajtur e pandryshuar klasa e shkollës ashtu siç ka qenë në origjinal, me bankat karakteristike prej druri, korniza në mure dhe librat mbi tavolina. Në oborr të saj ndodhet Obelisku ABC, që është kthyer dhe në simbol të muzeut.
Muzeu “Mësonjëtorja e Parë Shqipe”, foto nga IntoAlbania.
Shkolla u hap në një kohë kur populli shqiptar ndjente nevojën për të patur një shkollë shqipe, që do të ishte laike e do të lartësonte vlerat e kombit shqiptar. Ndër emrat kryesorë që lidhen me historikun e shkollës, është ai i Pandeli Sotirit, mësuesit dhe drejtorit të parë të saj, i cili braktisi Stambollin me 150 abetare për të shkuar në Korçë. Ai dha një kontribut esencial në hapjen e shkollës, dukë shënuar kështu një nga momentet më të rëndësishme të historisë shqiptare dhe gjuhës shqipe. Të tjerë drejtues të shkollës që kanë lenë gjurmë janë Petro Nini Luarasi, Thoma Avrami, Nuçi Naçi etj.
Muzeu “Mësonjëtorja e Parë Shqipe”, foto nga IntoAlbania.