Shtëpia me Gjethe - Into Albania

Shtëpia me Gjethe

Aty ku e vërteta priti me vite të zbulohej

Përgjimi i popullit shqiptar nga Sigurimi i Shtetit gjatë periudhës së komunizmit është një temë e cila, ndonëse tej mase e rëndësishme dhe e mirënjohur, mbetet një enigmë pothuajse e patrajtuar në artin e kulturën shqiptare. Në vitin 2006, një film gjerman i titulluar “Jeta e të tjerëve” iluminoi një botë të tërë mbi evente të ngjashme në qytetin komunist të Berlinit lindor. Pas pothuajse një dekade, në vitin 2017, Shqipëria më në fund bëri veprën e saj, një muze i cili i dedikohet zbulimit të një të vërtete të ngjashme e po aq të hidhur, të zgjidhjes përfundimtare të një enigme e cila me vite ekzistonte vetëm si një hije që nuk mund të prekej.

Muzeu Kombëtar “Shtëpia me Gjethe” ndodhet pikërisht në “shtëpinë me gjethe”, legjendare në Tiranë prej shumë kohësh. Emri i kësaj shtëpie nuk është rastësi e as metaforë: godina, e ndërtuar në vitet ’30-të, për të mos rënë sy të njerëzve, u vesh me gjethe dhe brenda saj, në 31 dhoma të lidhura mes tyre, ndodhet një histori e rëndë. Vendosur në qendër të Tiranës, përballë Kishës Ortodokse “Ringjallja e Krishtit”, aty thuhet se është strehuar për pak kohë edhe Gestapo, gjatë pushtimit të vendit në Luftën e Dytë Botërore. Me instalimin e pushtetit komunist, mënjëherë pas luftës së dytë botërore, kjo godinë ishte një qendër hetuesie ku kryeheshin tortura ndaj shqiptarëve dhe jepej dënimi me vdekje. Më vonë u kthye në selinë qëndrore e përgjimeve të shërbimit sekret. Pas ’90-ës ndërtesa u braktis e për dekada nuk pati asnjë funksion, duke mbajtur kështu larg kureshtjen e qytetarëve mbi atë që kishte ndodhur brenda mureve të saj.

Muzeu, i konceptuar me nëntë seksione, zbulon për herë të parë për publikun mënyrat e avancuara të kontrollit të vendit dhe jetëve të shqiptarëve. Disa seksione i dedikohen përgjuesve të ndryshëm,  mikrofonëve të fshehur si edhe informatorëve. Investimi i shtëtit në pajisjet e përgjimit është i pabesueshëm! Më tej, vjen paradigma e “armikut”, atij të jashtëm e të brendshëm, aty ku përqëndrohej një pjesë e madhe e vigjilencës. Dhoma e ndenjes zbulon një arredim tipik shqiptar të viteve ’70-të por, më tepër se kaq, aty çdo shqiptar kujton shtëpinë e rinsë apo fëmijërisë dhe kupton, pa fjalë, se sa e kontrolluar dhe e izoluar ka qënë vërtet jeta e tij.

Një tjetër ambjent tejet interesant quhet “Panopticon dhe Panacusticon” dhe është ndoshta ekspozeja më interesante e muzeut: një laborator teknik dhe shkencor i fotove, inçizimeve dhe xhirimeve sekrete.

Ndjenja nga më të çuditshmet e përshkojnë trupin e mendjen e atij që kalon dhomat e këtij muzeu, dyshime për të kaluarën, për histori që janë harruar apo treguar si legjenda e thashetheme, frika e zbulimit të një të vërtete, ndoshta të perceptuar ndër vite por të pakonfirmuar. Ky muze tregon, si një film, të vërtetën e zhveshur.

 

    Maj - Shtator, Çdo Ditë 9:00 – 19:00 Tetor - Prill, E Martë - E Shtunë, E Diel 09:00-14:00, 10:00-17:00
    Rruga "Deshmoret e 4 Shkurtit", Tiranë Get Directions
    2 orë

Explore More