Parku Arkeologjik i Apolonisë - Into Albania

Parku Arkeologjik i Apolonisë

Turizëm Kulturor

Parku Arkeologjik i Apolonisë

Turizëm Kulturor

Përjetoni madhështinë e Antikitetit

Një nga takimet më mbresëlënëse me historinë që mund të keni në Shqipëri është në qytetin antik të Apolonisë, themeluar në shekullin e gjashtë para Krishtit. I ndërtuar në tokat e Taulantëve Ilirë nga kolonizatorë grekë, qyteti ishte më i rëndësishmi nga mbi 20 qytetet në të gjithë Mesdheun që merrnin emrin e perëndisë së muzikës dhe poezisë, Apolon. Falë monumenteve e rrënojave të shpërndara në kodrat e Parkut Arkeologjik (më i madhi në Shqipëri), do të prekni nga afër shkëlqimin e periudhës helenistike dhe romake.

Qëndra Monumentale e Apolonisë

Imagjinoni atë që mund të ketë përjetuar në 1925-ën arkeologu francez Leon Rei, kur zbuloi grupin e ndërtesave publike që përbëjnë Qëndrën Monumentale të Apolonisë. Të harruara nga koha por jo të shkatërruara prej saj, rrënojat dhe monumentet e qytetit, që në kulmin e lulëzimit të tij numëronte plot 60 mijë banorë e për të cilin shkruante dhe Ciceroni, janë një nga atraksionet më të rëndësishme turistike në Shqipëri. Qendra Monumentale përfshin Buleterionin, një nga objektet më imponuese të Agora-s që daton në shekullin e II-të para Krishtit, e që sot është një nga emblemat e antikitetit të Shqipërisë. Kjo ndërtesë shërbente si seli e Këshillit të Qytetit, dhe njihet si ‘Monumenti i Agonotetëve’, në nder të dy vëllezërve që përmenden në mbishkrimin e arkitraut. Ky monument, së bashku me rrënojat e Harkut të Triumfit, Bibliotekës, Sanktuarit apo shkallarëve të Odeonit që gjenden përreth, të katapultojnë menjëherë në një tjetër epokë, të cilën sapo ke nisur ta eksplorosh.

Rrugëtimi në periudhën klasike

Një sërë rrënojash e monumentesh të rëndësishme si Shëtitorja B me kolonat dorike të shek IV para Krishtit, çezmja madhështore e Nimfeut që është dhe monumenti më i madh i ruajtur i Parkut, Porta e Temenosit me Obeliskun përballë e plot objekte e rrënoja të tjera, do ju bëjnë të përhumbeni totalisht në të shkuarën, e të harroni çdo nocion të së tashmes.

Manastiri dhe Kisha e Shën Mërisë

Sikur të mos mjaftojë thesari arkeologjik që do të vizitoni në Park, brenda mureve gjendet dhe Manastirti dhe Kisha e Shën Mërisë, të cilat, së bashku me Muzeun Arkeologjik që ndodhet brenda manastirit, i shtojnë akoma më shumë vlerat historike, arkitekturore e kulturore të Parkut. Sipas disa studiuesve të tjerë, një pjesë e manastirit mund të ketë datë edhe më të hershme nga sa besohet.

Pozicionimi strategjik i parkut me pamje mbi fushën e Myzeqëse dhe tej horizontit, aty ku qielli takohet me detin Adriatik, e bëjnë rrugëtimin në Apoloni një përvojë plot emocione që do të lënë gjurmët e tyre. E fundja, nuk ka si të jetë ndryshe kur kupton se në rrugët mbi 2000 vjecare ku je duke shkelur, kanë ecur në histori dhe figura si Oktavian Augusti, që përpara se të bëhej Perandor e të ndryshonte njëherë e përgjithmonë historinë e botës, ishte një student i Akademisë së famshme qytetit të vjetër.

Si të shkoni: autobusi Fier – Pojan, me rikthimin e fundit në orën 14:30. Gjatë sezonit të verës mund të ketë ndryshime.

Për të hartën-guidën e plotë kliko këtu.

Nga: IntoAlbania

  • Opening Hours Maj - 15 Tetor, Çdo Ditë 9:00 - 18:00 16 Tetor - 30 Prill , Nga e Marta në të Diel 9:00 - 16:00
  • Address: Pojan, Fier Get Directions
  • Ticket Price: 400 LEK. Tarifa e reduktuar për pensionistët, invalidët dhe jetimët: 200 LEK. Tarifa familjare: 150 LEK. Tarifa për studentët dhe nxënësit: 120 LEK. Të dielën e fundit të cdo muaji (me përjashtim të qershor, korrik e gusht) hyrja falas.
  • Visit duration: 3 orë

Zbulo më Fier

More of your interest

What’s Hot?

Zhvilluar nga Frakton & Dizajnuar nga project.graphics