Antigonea - Into Albania

Antigonea

Rrënojat e bukura të një qyteti antik dedikuar dashurisë

Monumentet kushtuar dashurisë janë nga më të bukurit në botë, mjafton të kujtojmë Taj Mahal-in në Indi. Në Shqipëri ndodhet jo një monument, por rrënojat e një qyteti të tërë, Antigonesë, që mori këtë emër në antikitet për të celebruar dashurinë. Antigonea u themelua në vitin 295 para Krishtit nga mbreti Pirro i Epirit, i cili mendoi të nderonte gruan e tij të parë duke i vendosur emrin e saj qytetit.

Vendndodhja

Antigonea gjendet vetëm 14 km në lindje të Gjirokastrës, pranë fshatit Saraqinishtë në Luginën e Drinos. Parku Arkeologjik të mundëson të prekësh nga afër historinë e një qyteti që pavarësisht kohës së shkurtër të lulëzimit (shek. III deri në shek. II para Krishtit), ja doli të merrte formën e një qytet-shteti që u kthye në një qendër të rëndësishme politike, ekonomike e kulturore për rajonin. Dëshmitë e ardhura nga historia dhe objektet e zbuluara rrëfejnë se qyteti u shkatërrua në vitin 168 para e.s. nga pushtimi romak brenda një kohe shumë të shkurtër e në mënyrë brutale.

Parku Arkeologjik i Antigonesë, Gjirokastër, foto nga IntoAlbania

Rrënojat 

Një pjesë e murit rrethues të qytetit ka mbërritur deri më sot dhe të krijon më së miri idenë e fortikimit të madh që ka patur qyteti.  Rrënojat e Nimfeut, si dhe kollonat, shëtitorja, banesa me peristil apo objektet e tjera publike, përcjellin më së miri atmosferën e antikitetit. Por parku ofron dhe surpriza të tjera si psh mozaikun paleokristian që krijon urën e takimit me krishtërimin dhe etapat e mëvonshme të historisë evropiane. Pranë Antigonesë gjenden dhe disa kisha të vjetra që mund të vizitohen, ku vlen të përmendet Kisha e Shën Kollit (1680).

Antigonea

Parku Arkeologjik i Antigonesë, Gjirokastër, foto nga IntoAlbania

Panorama

Falë pozitës dominuese mbi luginë,  pamja spektakolare e maleve dhe natyrës përreth e bën akoma më tërheqës e mbresëlënës Parkun Arkeologjik. Por rrugëtimi në histori nuk ndalet tek Antigonea. Përgjatë gjithë Luginës së Drinos gjenden rrënojat e 15 qendrave urbane të lashtësisë, ku spikat Hadrionopoli, që meriton gjithashtu vëmendjen tuaj.

Antigonea

Parku Arkeologjik i Antigonesë, Gjirokastër, foto nga IntoAlbania

Nëse doni të shfletoni libërthin zyrtar bashkë me hartën e Parkut (në anglisht), kliko këtu.

    Prill-Shtator, Çdo ditë 9:00 - 18:00 Tetor-Mars E Hënë- Premte 08:00 - 16:00, E Shtunë - Diel 08:30 – 15:30
    Gjirokastër - Parku Arkeologjik i Antigonesë Get Directions
    3 orë

Explore More