Pelegrinazh në Sarisalltik: Bekime e maja panoramike - Into Albania

Pelegrinazh në Sarisalltik: Bekime e maja panoramike

Turizëm Kulturor

Pelegrinazh në Sarisalltik: Bekime e maja panoramike

Turizëm Kulturor

Sipas historive së gjithë feve të botës, përjetimi e dija fetare apo hyjnore përfitohen fillimisht në majat e larta të maleve. Në këto lartësi ndodhin ato çudira të cilat nga breza më pas tregohen si legjenda. Shqipëria ka majën e lartë (1176m) dhe legjendën e saj përkatëse në Sarisalltik. I quajtur ndryshe edhe ‘Sallsatajku’ nga krutanët, ky vend ëshë epiqendra e përhapjes së besimit bektashian në Shqipëri.

Legjenda

Në majë të malit, ndodhet një shpellë (15m e thellë dhe 4m e lartë) dhe në mes të saj një burim uji, i cili nga pelegrinët konsiderohej si ujë i shenjtë. Pranë shpellës gjendet teqeja e parë në Shqipëri dhe brenda saj varri i Sarisalltikut. Legjenda thotë se rreth viteve 1300, kur dervishi Sarisalltik mbërriti në Krujë, ai dëgjoi se në këtë shpellë një kuçedër kërkonte një virgëreshë si kurban, me kusht që të mos digjte vendin. Kur erdhi radha e princeshës për t’u flijuar, Sarisalltiku e shoqëroi deri në shpellë ku me një të lëvizur të shkopit, vrau kuçedrën me shtatë kokë. Flaka e kuçedrës la shenjën e saj në një pjesë të malit e cila, deri sot e kësaj ditë, duket e tharë. Sarisalltiku, në atë shpellë ndërtoi teqenë e tij.

Historia

Sipas të dhënave historike, Sarisalltiku njihej si simbol i hershëm i tolerancës fetare. Për këtë arsye, ai është figura kryesore në përhapjen e fesë bektashiane. Sarisalltiku ka lënë gjurmën e tij të dytë me një teqe që sot ndodhet në Korfuz. Dijetari i famshëm francez Alexandre Degrand ka shkruar mbi Sarisalltikun në librin e tij “Souvenirs de la Haute Albanie” (Kujtimet e Shqipërisë Veriore) të 1901-shit, përmbledhja e vizitës së tij në Shqipëri gjatë periudhës 1893-1899. Ai përmend se si asnjë prej figurave të tjera Bektashiane mund të kalonin fuqinë e mbinatyrshme të Sarisalltikut. Degrand gjithashtu kujton me keqardhje se nuk pati mundësinë të ngjitej në majat e malit për shkak të motit në ditën e nisjes së tij. Sarisalltikun e ka përmendur edhe gjeografi Maroken Ibn Battuta (1304-1377), i cili ishte i pari që shkruajti për legjendat në lidhje me Sarisalltikun.

Pelegrinazhi

Ashtu si me çdo aktivitet fetar gjatë periudhës së komunizmit, pelegrinazhi në teqe u ndalua, ndërsa me ardhjen e demokracisë, teqeja u rindërtua nga vetë krutanët. Pelegrinët që e vizitojnë teqenë e Sarisalltikut në ditë festash, por edhe në ato normale, janë me mijëra. Në verën e vitit 2017, u shënua rekordi i 25 çifteve të cilët morën bekimin në këtë teqe brenda një dite të vetme.

Të shumtë janë edhe ata që marrin rrugën për në shpellë vetëm për shkak të pamjes së rrallë që ofron maja e malit. Maja e Sarisalltikut, në një ditë të bukur me diell, ofron një pamje spektakolare të zonës përreth, ku spikasin disa liqene si dhe deti Adriatik në sfond. Thjesht ngjitja e malit përbën, në vetvete, një eksperiencë shpirtërore edhe për ata të cilët nuk janë fetarë. Ashtu si ka thënë edhe alpinisti i famshëm Rus, Anatoli Boukreev, “Malet nuk janë stadiume ku unë kënaq ambicien time për të fituar, por katedralet ku unë praktikoj fenë time.” Vështirësia e ngjitjes ka rolin e saj në atë që njeriu ndjen kur arrin majën. Për këtë arsye, kur vendasit ndeshen me turistë të cilët nisin ngjitjen e tyre në Sarisalltik, ata i përshëndesin gjithmonë me fjalët ‘Ju ndihmoftë Zoti!”.

Si të shkosh në Sarisalltik

Koha e udhëtimit me makinë për në Sarisalltik është rreth 20 minuta nga Kruja. Nëse jeni në kërkim të një turi një ditor hiking dhe zbulimi të Sarisalltikut dhe Krujës kliko këtu.

Nga: IntoAlbania

Çfarë ofron Kruja

Të ngjashme

Të rejat

Zhvilluar nga Frakton & Dizenjuar nga project.graphics