Ujëvara e Peshtures: Spektakli natyror i fshehur mes maleve - Into Albania

Ujëvara e Peshtures: Spektakli natyror i fshehur mes maleve

E fshehur mes maleve të Tepelenës, Ujëvara e Peshturës është një nga ato destinacione që përmbush të gjitha pritshmëritë e vizitorëve, e që vazhdon të jetë pak e njohur mes turistëve.

Vishuni me rroba sportive! Mbushni çantën në mënyrë të nevojshme me ujë, fruta të thata dhe ndërresa të lehta, e nisuni drejt malësive të qytetit të Tepelenës. Ujëvara që do të zbuloni është magjike, e përshtatshme për të xhiruar filmat hollivudianë që luajnë me kohën dhe natyrën.

Rruga dhe peizazhet

Për të shkuar në destinacion, do të kaloni mes për mes malësive të Tepelenës nëpër rrugë të mirëmbajtura dhe do të zbuloni panorama gjeografike që habisin. Një nga ndalesat që do ju duhet të bëni është në Progonat. Prej andej, zona që do ju duhet të përshkoni përbëhet nga shkëmbinj gëlqerorë të cilët në shekuj janë përshkuar nga përrenj të vrullshëm dhe lozonjarë. Është rasti ideal të shihni forma të shumta karstike gjatë rrugës, për shkak të tretjes së shkëmbinjve. Gropa të thella, shpella të shumta dhe ujëvara të varura si bizhuteri mbi male do t’ju mahnisin e do t’ju bëjnë të riktheheni në këto zona.

 

Ecja

Udhëtimi në këmbë zgjat pak më shumë se një orë. Koha e kaluar mes shkëmbinjve dhe formave karstike do t’ju duket e shkurter sepse e vetmja dëshirë e fshehtë është zbulimi i magjisë ujore të varur në shkëmbinj. Ujëvara është fshehur pas një rrëpire të gjatë shkëmbinjsh shumëngjyrësh, të cilëve u prin një tunel i shkurtër natyror me gurë. Duhet të kalosh përmes këtij tuneli, për të lagur duart dhe këmbët tek uji i ftohtë që rrjedh nga Peshtura. Ngjyra e smeraldit mbizotëron pellgun ku lëshohet ujëvara malore, disa metra e lartë.

Zemër

Ndërsa shijoni pamjen e rrallë mund të konsumoni ushqimet që keni marrë me vete. Fotot do të jenë kujtim nga udhëtimi në malësitë e Kurveleshit, por besojmë se do të riktheheni për të eksploruar zonën me shokë të tjerë.

Explore More