Ujëvara e Bogovës - Into Albania

Ujëvara e Bogovës

Ujëvara e Perëndive

Ujëvara e Bogovës, me lartësinë prej 20 metrash the pishinën e kaltër, është ende një vend jo shumë i rrahur nga turistët.

Jeni në kërkim të zbulimit të Shqipërisë ekzotike, e të surprizave natyrore krejt të paprekura nga dora e njeriut? Ujëvara e Bogovës është një prej atyre vendeve që po kërkoni! E pozicionuar në anën e majtë të luginës së Osumit, kjo perlë natyrore gjendet e fshehur mes pyjeve e bimësisë së dendur, dhe izolimi i saj përbën pikën e fortë të këtij destinacioni mbresëlënës.

Rrugëtimi

Për të shkuar në Ujëvarë, do ju duhet të ndaloni në fshatin e Bogovës, që është dhe fshati më i afërt me monumentin natyror. Origjina e emrit Bogovë vjen nga gjuhët sllave, e në shqip  përkthehet ekzaktësisht ‘e perëndive’. Sapo të keni ndaluar në qendër të fshatit, do ju duhet të ndiqni përreth 30 minuta me këmbë rrugën e pashtruar që ndodhet përballë stacioni të autobusave, e mandej të ndiqni lumin deri sa të gjendeni pranë Ujëvarës. Duke ndjekur rrjedhën e lumit dhe shënimet përkatëse nuk do e keni të vështirë të gjeni destinacionin.

Ujëvara e Bogovës, foto nga Alessandro Giangiulio, flickr.com.

Ujëvara

Ujëvara e lartë 20 metra bie në një pishinë të kaltër e të thellë 12 metra, që falë izolimit të krijon ndjesinë e të qenurit në ndonjë parajsë tropikale të pashkelur nga askush më parë. Kthjelltësia e ujit,  zhurma tunduese e ujëvarës që bie parreshtur nga shpatet, e gjelbërimi që e rrethon, të bëjnë të mendosh se po jeton vërtet botën ashtu siç ka qenë në gjenezë. Gjatë muajve të nxehtë të verës tundimi për t’u zhytur në pishinën natyrore është i madh, por vetëm më guximtarët ja dalin të përballojnë ujin e ftohtë.

Transporti

Koha në këtë vend ikën pa e kuptuar,  por nëse keni ardhur me transport publik nga Berati do ju duhet të bëni kujdes që të mos humbisni autobuzin e fundit të kthimit për në qytet që është në orën 15:00. Fshatrat përreth ofrojnë gjithashtu peizazhe të gjelbërta fantastike, me toka të shumta ku kultivohen rrushi apo fruta të ndryshme.

Pas një ditë të këndshme e shplodhëse pranë Ujëvarës, në kthim mund të pushoni pranë ndonjë prej restoranteve me ushqim cilësor tradicional që ndodhen pranë fshatit.

Si të shkoni: Duke ndjekur rrugën Berat – Skrapar, ndaloni në Bogovë.

    Berat – Skrapar, ndalesa Bogovë Get Directions

Explore More