5 vendet ku mund të shihni perëndimin në Tiranë - Into Albania

5 vendet ku mund të shihni perëndimin në Tiranë

1. Sky Tower Panoramic Bar

Është ndoshta vendi më lehtësisht i aksesueshëm, falë pozicionimit mu në zemër të ish-Bllokut, dhe që ofron pamje fantastike të Tiranës. Falë dhe barit rrotullues që ndodhet në katin e fundit, ju mund të shijoni perëndimin e kryeqytetit, tek sa platforma e lokalit lëviz në 360 gradë.

2. Mali i Dajtit

Përmes teleferikut ngjitja për në Malin e Dajtit nuk është fare e vështirë, dhe vetëm 15 minuta ju duhen për të parë një nga pamjet më sugjestive të Tiranës nga lart. Jo vetëm për të shijuar perëndimin, por edhe për të parë dritat vezëlluese të kryeqytetit që ndizen me mbrëmjen, ja vlen t’i dedikoni një pasdite pamjeve poetike që duken prej Dajtit. Aty do të gjeni dhe një hotel, një bar rrotullues panoramik e një restorant, nëse planifikoni të kaloni të gjithë mbrëmjen.

3. Liqeni i Tiranës

Orari i perëndimit e gjen thuajse përherë Parkun e Liqenit të populluar nga njerëz të të gjitha grupmoshave, të cilët dalin për vrap, për sporte të ndryshme, apo dhe thjesht për të shijuar ngjyrat e reflektimit të perëndimit të diellit në liqen. Një pasdite aty është zgjidhja më e mirë për ata që duan të jenë njëherësh pranë natyrës, pa u larguar shumë nga qytetit, pasi parku ndodhet vetëm 5 minuta larg Sheshit Nënë Tereza.

4. Sheshi Skënderbej

Sheshi i rikonstruktuar kulmon në formë piramide, dhe cilido mund të jetë në qendër të tij. Simbolikisht kjo tregon se sheshi tashmë i përket njerëzve, e jo më diktatorëve. Nëse gjendeni aty në orarin e perëndimit, në qendër të sheshit do të shijoni përveç simbolikës dhe hapësirave të mëdha publike, dhe ngjyrat që merr qyteti gjatë këtij orari.

5. Aba 21

Konsiderohet si vendi më luksoz i Tiranës, ndaj dhe vizita aty kërkon një portofol të mbushur. Por bar-restoranti elegant në godinën e njohur ndryshe si COIN-i, ofron jo vetëm një nga menutë më cilësore, por edhe disa nga këndvështrimet më të bukura që mund të keni mbi qytetin e Tiranës. Një koktejl në perëndim si për të filluar një mbrëmje feste është vërtet i rekomandueshëm.