Parku i Liqenit - Into Albania

Parku i Liqenit

Shkëputja ideale nga zhurma e Kryeqytetit

Parku i Liqenit mbetet një nga destinacionet më të frekuentuar të fundjavës! Shëtitje në natyrë, lojëra në këndin e fëmijëve, hapësirë për të lexuar, një shfaqje artistësh të rinj në Teatrin e Hapur, lojërat për të rritur në fushat shumësportëshe, dhe shumë mundësi të tjera për tu kënaqur gjenden pikërisht këtu. Liqeni ofron peizazhe tejet tërheqëse. Në të gjitha orët e ditës do të gjeni plot njerëz që zgjedhin pikërisht këtë hapësirë për të vrapuar apo ecur pranë liqenit artificial që u ndërtua me aksion popullor në gjysmën e dytë të shekullit të shkuar.  Gjithashtu, parku mban brenda lëndinave dhe shpateve të buta kodrinore, një pjesë së historisë së Tiranës. Mund t’u tregosh fëmijëve e adoleshentëve të rinj copëza historie nga memorialet ngritur në këtë park, kushtuar njerëzve të mëdhenj të letrave shqipe, por edhe të të rënëve të huaj gjatë Luftës së Dytë Botërore. Në lëndinat rreth liqenit ngrihet skeleti i transformuar  nga diktatura i Kishës së Shën Prokopit dhe jo shumë larg saj shtrihet sipërfaqja ujore e Liqenit. Pak më tutje presin destinacione të tjera argëtimi. Kompleksi i Pishinave, ose Aquadromi, i ndërtuar gjatë viteve ’80, është multifunksional për të rritur, fëmijë, edhe për profesionistë. Gjithashtu, në fund të Digës së Liqenit, gjen të vetmin Park Zoologjik në Shqipëri me 25 lloje kafshësh dhe shpendësh te vendosur mes lëndinash të vogla, te cilat familja mund ti përshkojë me bicikleta me katër rrota.

Explore More