Fly Fishing në Shqipëri - Into Albania

Fly Fishing në Shqipëri

Si një vend i pasur në lumenj, dete e liqene, Shqipëria ofron kushtet e favorshme për praktimin e shumë disiplinave të peshkimit. Një ndër to është edhe fly fishing, një metodë peshkimi ku përdoret një fluturues artificial. Edhe pse nuk është shumë e praktikuar në Shqipëri, të gjithë ata që e njohin e konsiderojnë fly fishing një disiplinë krejt unike nga të tjerat, ku rrugëtimi për të shkuar deri tek peshku është shumë më i rëndësishëm se sa zënia e vet peshkut.

Burimi: simplyfy.it

Ku dhe kur lindi fly fishing? 

Për të kuptuar se si lindi kjo praktikë, nuk duhet të shkojmë shumë larg Shqipërisë. Në librin e tij ‘Mbi natyrën e kafshëve’, shkrimtari romak Elian, i cili jetoi në shekullin e dytë pas Krishtit, shkroi mbi mënyrën e re të peshkimit të shpikur nga maqedonasit. Sipas tij, maqedonasit pasi kishin vështruar me kujdes peshqit e lumenjve të tyre, kishin kuptuar se ata hidheshin në ajër për t’u ushqyer me kandrra, të cilat fluturonin shumë pranë sipërfaqes së lumenjve. Nuk ju desh shumë kohë për të krijuar një teknikë imitimi të kandrrave fluturuese, duke krijuar kështu pararendësin e fly fishing ashtu si e njohim ne sot.

Duke i qendruar besnik këtyre burimeve, mund të themi me plot gojën se Shqipëria ndodhet në rajonin ku ka lindur fly fishing, ndaj ja vlen të ndalemi e të kuptojmë ku mund ta realizojmë këtë sport. Një ndër praktikuesit më të hershëm të fly fishing në Shqipëri është Bujar Syla, nga Mitrovica e Kosovës, që njeh imtësisht ujërat e Shqipërisë e Kosovës.

Bujar Syla dhe ‘trofeu’ i tij. Foto nga Bujar Syla.

Përvoja e një eksperti

Bujari e nisi praktikimin e fly fishing që në fillim vitet 2000, kur Shqipëria konsiderohej ende një vend i pazbuluar, me natyrë të egër krejtësisht të paprekur. Kjo luante në favor të peshkatarëve si Bujari, që kishte plot terrene ku mund të praktikonte i pashqetësuar nga faktorë të tjerë sportin e tij.

Kandërr fluturuese artificiale e krijuar nga vetë Bujari. Foto nga Bujar Syla.

Disa nga lumenjtë apo vendet ku Bujari ndër vite ka praktikuar fly fishing janë Lumi i Valbonës, Lumi i Shalës, Tragjasi, apo Liqeni i Komanit. Këto vende njihen për troftën karakteristike me pika, që është një nga peshqit tek të cilët metoda fly funksionon. Praktikuesit e fly-t e shohin këtë sport si një filozofi jete, një mundësi për t’u njohur më shumë me veten e natyrën, tek sa hedhin tutje karremin artificial dhe presin që peshqit të bien brenda.

Bujari me troftën ylber dhe kandrrën fluturuese. Foto nga Bujar Syla.

Ndër teknikat e përdorura për fly njihen gjerësisht katër të tilla, ajo e ‘kandrrës në sipërfaqe’, ku kandrra artificiale qëndron mbi ujë duke detyruar peshkun të kërcejë për ta zënë, ajo e ‘kandrrës nën ujë’, ku fluturuesi artificial imiton lëvizjet për të gënjyer peshkun, teknika e ‘nimfës’, ku kandrrat qëndrojnë poshtë ashtu si dhe peshqit, dhe teknika e fundit që është e ngjashme me spinning.

Bujari, ashtu si dhe peshkatarët e tjerë të kësaj disipline, nuk e mbajnë asnjëherë peshkun, por e lirojnë menjëherë në ujë. Që nga kandrra artificiale, e deri tek lirimi i peshkut, apo materialet e shkopit dhe grepit, i gjithë procesi bëhet duke respektuar ciklin e natyrës, dhe idenë se njeriu duhet të jetë shërbyesi, e jo shkatërruesi i saj. Jo më kot në shekullin e XVII shkrimtari britanik Izak Ualton do e përshkruante fly fishing si sportin e ‘njeriut soditës.’

Lumi i Shalës. Foto nga IntoAlbania.

Për fat të keq, Bujari na thotë se kohët e fundit HEC-et janë kthyer në armikun kryesor të këtij sporti, ndaj dhe po i duhet të mësohet me faktin se disiplinat e tjera janë shumë më të favorshme dhe efikase për t’u praktikuar në Shqipëri. Por nëse për Bujarin ujërat nuk janë më aq premtues sa njëherë e një kohë, kjo nuk do të thotë se të apasionuarit e fly-t nuk kanë më hapësirë për ta ushtruar atë.

Ku dhe kur të peshkosh

Veriu i Shqipërisë 

Periudha më e mirë për fly fishing varion nga një destinacion në tjetrin. Trofta me pika është peshku karakteristik i ujërave shqiptare. Në lumenjtë e veriut si ai i Valbonës, Shalës apo edhe Cemit periudha më e mire është ajo e qershorit, korrikut dhe gushtit, pasi trofta del në sasi më të madhe. Këto janë vendet më të preferuara gjithashtu për turizëm malor në Shqipëri, ndaj në muajt e verës mund të shijoni dhe fshatrat turistikë të Thethit (Lumi i Shalës), Valbonës (Lumi i Valbonës), e zonës përreth Kelmendit (Lumi i Cemit). Në mëngjes herët apo mbasdite vonë mendohet se janë dy momentet e ditës më të përshtatshme për fly.

Shqipëria e Mesme 

Shumë pranë Librazhdit, lumi Shkumbin ofron gjithashtu terren për fly fishing, ku nga muaji maj deri në fund të korrikut dendësia e troftës është mjaft e madhe. Librazhdi ndodhet rreth një orë e gjysëm larg Tiranës, ndaj mund të vizitohet lehtësisht nga kryeqyteti.

Jugu i Shqipërisë

Edhe në Tragjas muajt e verës preferohen për peshkim, ku mund të shijohen dhe plazhet e Orikumit që gjenden fare pranë. Distanca Tiranë-Tragjas është rreth tre orë e gjysëm, dhe mund të shkohet duke ndjekur rrugën për Llogara. Pak para se të kapërcesh urën për në Orikum, gjendet kthesa për në fshatin Tragjas, ku ndodhet dhe lumi i fshatit i përshtatshëm për peshk. Lumi Vjosa ofron gjithashtu një ekosistem dinamik, ku fly fishing mund të praktikohet gjatë muajve të verës. Lumin mund ta vizitoni lehtësisht duke ndjekur rrugën për Gjirokastër, ku shfaqet që në segmentin e Ujit të ftohtë, Tepelenë. Edhe vizita këtu mund të kombinohet me një qëndrim në Gjirokastër apo në Përmet.

Vjosa River, near Gjirokastra. Photo by IntoAlbania

Fly Fishing në Koman 

Në rastin e peshkimit në Liqenin e Komanit, që konsiderohet liqen i madh, periudha më e mirë e peshkimit do të ishte nga fund marsi deri në qershor, apo nga shtatori deri në tetor. Udhëtimi për në Liqenin e Komanit mund të shoqërohet dhe nga një udhëtim fantastik me traget, ku do mund të zhyteni në natyrën e egër shqiptare. Për në Koman mund të niseni nga Tirana, e distanca shkon rreth 3 orë e gjysëm me makinë. Nëse zgjidhni të ikni nga Shkodra, distanca është rreth dy orë. Klikoni këtu për t’u orientuar më mirë mbi mundësitë e një udhëtimi në Koman dhe akomodimit përkatës. Liqene të tjera që mund të shfaqin të njëjta karakteristika si ai i Komanit janë Liqeni i Ohrit dhe Liqenet e Lurës.