Lugina e Valbonës - Into Albania

Lugina e Valbonës

Vendi i mrekullive të pafundme natyrore

Një luginë e mbushur me lumenj, ujëvara spektakolare e pyje të pafundëm nën hijen e majave të larta që shfaqen ngado. Një mikpritje me zemër, sipas traditave shekullore malësore, e gatime me produkte bio të zonës që përgatiten plot shije. Një ajër i pastër që të duket se të shton jetën dhe një qetësi ideale! Lugina e Valbonës duket se i ka vërtet të gjitha, për një pushim që do të të mbetet gjatë në mendje! Për të shkuar në Valbonë mund të ndiqen dy rrugë, prej të cilave ajo që përshkon liqenin e Komanit të lë vërtet pa frymë, dhe është njëherësh më komode.

Majat e larta

Lugina e Valbonës në rrethin e Tropojës është kryevepër e natyrës, e cila nuk është kursyer aspak me bukuritë që i ka falur kësaj zone. Falë shtrirjes në qendër të Alpeve Dinarike, këtu gjenden disa prej majave më impresionuese të Alpeve Shqiptare, si ajo e Jezercës (2694 m) apo e Kollatës (2556 m). Lugina përshkohet nga Lumi i kristaltë i Valbonës, i cili, me një gjatësi prej rreth 50 km, gjarpërohet nëpër ngushtica përrallore, i rrethuar nga ngjyrat e bukura të pyjeve të ahut, dushkut e pishave. Në burim të lumit, do të gjeni edhe Ujëvarën e Valbonës (pranë fshatit Gjelaj), që nuk mund të lihet pa u parë. Duke ndjekur rrugën Bajram Curri-fshati Shoshan, do të ndesheni me Kanionin madhështor të Shoshanit i cili fsheh një ujëvarë brenda tij. Mos lini pa parë edhe Vrellën e Shoshanit, Liqenin e Xhemës pranë Majës së Kollatës, shpellën e Haxhisë, apo edhe atë të Dragobisë, ku u vra heroi i madh Bajram Curri. Këto bukuri vërtet kërkojnë kohë e vemendje por shpërblimi është i madh!

Bujtinat

Kur të jetë momenti për çlodhje, falë bujtinave të ndërtuara e menaxhuara nga vet banorët duke respektuar traditat e zonës, do të ndiheni si pjesë e familjes. Flija e pjekur në saç dhe mishi i shijshëm i kecit, trofta e freskët apo turshitë dhe djathi i shtëpisë, ndër të tjera janë një motiv më shumë për ta vizituar këtë Luginë të mrekullive. Kohët e fundit, jo pak turistë provojnë sportet dimërore dhe përjetojnë nga afër magjinë e Valbonës nën borë! Ture të posaçme organizohen gjatë gjithë vitit, dhe një pjesë e  tyre e lidhin këtë destinacion me Thethin. Duhet të keni parasysh se këtu bukuria, madhështia e magjia e kësaj zone dyfishohet, madje arrin disa maja të cilat vështirë se mund të kalohen!

Si të shkosh te Lugina e Valbonës 

Me traget, nga Komani: Tiranë-Koman (trageti 2 orë) –Fierzë–Bajram Curri–Valbonë.
Me makinë, në drejtim të Kosovës: Tiranë–Kukës–Prizren–Gjakovë–Bajram Curri–Valbonë. Udhëtimi zgjat rreth 5 orë.
Transport publik: Tiranë–Bajram Curri (përmes Kosovës gjithashtu). Udhëtimi zgjat rreth 5 orë.
Prenotoni tragetin në: https://komanilakeferry.com/sq/.
Për më shumë detaje mbi rrugën: http://www.journeytovalbona.com/your-journey/how-to-get-here/

    Babinë, Tropojë e Vjetër, 8706 Get Directions

Explore More