Top 6 Ujëvarat më të bukura të Shqipërisë - Into Albania

Top 6 Ujëvarat më të bukura të Shqipërisë

Të krijoje këtë listë nuk ishte një gjë e thjeshtë! Nga veriu në jug, ujëvarat për t’u vizituar në Shqipëri janë të shumta, e të gjitha me karakteristika të ndryshme që ofrojnë një eksperiencë unike udhëtimi. Megjithatë, po ju paraqesim ato vende që sipas nesh duhen vizituar patjetër, e nëse keni preferenca të tjera, mos hezitoni të na i shkruani!

1. Ujëvara e Sotirës

Nëse gjendeni afër Gramshit, e keni plot kohë në dispozicion, nuk mund të mos bëni një ndalesë në Ujëvarën e Sotirës! Derdhjet që rrjedhin përmes shkëmbinjve gëlqerorë e që bien në trajtë çurgjesh nga lartësitë 20-100 metra, të bëjnë të përhumbesh totalisht në një spektakël ngjyrash. Nëse keni këpucët e përshtatshme, mund të depërtoni në brendësi të ujëvarës falë një shtegu të krijuar apostafat, gjithmonë duke bërë kujdes se terreni është i rrëshqitshëm. Për më tepër mbi rrugën që duhet të ndiqni apo detaje të tjera praktike lexo artikullin tonë të dedikuar këtu.

Sotira Waterfall

Ujëvara e Sotirës në Gramsh, Elbasan, foto nga IntoAlbania.

2. Ujëvara e Thethit

Ndër monumentet natyrorë më mbresëlënës në Theth është Ujëvara e Grunasit (Thethit), që nga 30 metra lartësi bie nga shpatet plot vrull e magji. Pranë ujëvarës ndodhet Kanioni i thepisur i Grunasit, që falë ngushtësisë dhe ujit të kristaltë që kalon mes tij përgjatë 1 kilometri, krijon një atmosferë tejet intime. Ecja për tek ujëvara është mjaft e këndshme, por duhet të keni veshjen e përshtatshme që ta shijoni si duhet.

Theth

Ujëvara e Grunasit, e njohur dhe si Ujëvara e Thethit, foto nga IntoAlbania.

3. Ujëvara e Shëngjergjit

Vetëm një orë me makinë nga Tirana do të mjaftojë që ju të gjendeni të zhytur në një oaz të vërtetë natyror, plot pemë shumëngjyrëshe e bimësi të dendur, i cili kulmon me ujëvarën që bie nga shkëmbinjtë nga një lartësi prej 30 metrash. Ujëvara që furnizohet me ujë nga mali me Gropa dhuron një spektakël të vërtetë prej të cilit nuk do të duash të largohesh. Për më tepër kliko këtu.

Shëngjergji Waterfall

Ujëvara e Shëngjergjit, foto nga IntoAlbania.

4. Ujëvara e Bogovës

Ujëvara e lartë 20 metra bie në një pishinë të kaltër e të thellë 12 metra, që falë izolimit të krijon ndjesinë e të qenurit në ndonjë parajsë tropikale të pashkelur nga askush më parë. Për të shkuar në ujëvarë, mund të niseni nga Berati e të ndaloni në fshatin e Bogovës, që është dhe fshati më i afërt me monumentin natyror.  Muajve të nxehtë të verës tundimi për t’u zhytur në pishinën natyrore është i madh, por vetëm më guximtarët ja dalin të përballojnë ujin e ftohtë. Për më tepër kliko këtu.

Ujëvara e Bogovës, Skrapar. Foto nga Afrim Tahiraj

5. Ujëvarat në Kanionet e Osumit 

I njëjti lum që përshkon qytetin e Beratit, ka krijuar përgjatë rrugëtimit të vet edhe Kanionet e mrekullueshme të Osumit në Skrapar, që arrihen lehtësisht nga Berati. Kanionet janë të njohura jo vetëm për faktin se janë më të mëdhatë në vendin tonë, por edhe për natyrën mbresëlënëse dhe aktivitetet e shumta outdoors që realizohen aty. Hiking në këtë vend të mundëson të shohësh nga afër shpatet e larta plot bimësi që ndahen nga lumi, apo të admirosh shpellat dhe 8 ujëvarat spektakolare.

6. Syri i Kaltër i Thethit

Përveç Ujëvarës së Thethit, fshati ka dhe një ujëvarë më të vogël, që njihet kryesisht për pishinën e kaltër fantastike që krijon. Lumi i Zi duke zbritur nga fshati Kaprre, krijon “Syrin e Kaltër”, që nuk duhet ngatërruar me “Syrin e Kaltër” të Sarandës. Kjo pishinë e madhe është e zhytur në gjelbërim, dhe nga shpatet e maleve gjendet një grykëderdhje elegante që krijon vërtet një ambjent përrallor. Turistët mund të pushojnë e të shijojnë ushqimet karakteristike të zonës falë disa restoranteve familjare të ndodhura aty.

Theth National Park

Syri i Kaltër i Thethit, foto nga IntoAlbania.