Curraj i Epërm - Into Albania

Curraj i Epërm

An Isolated and Spectacular Northern Village

Një nga fshatrat malorë më të paprekur të vendit, së fundmi po hyn në hartën e turistëve. I fshehur mes maleve e pyjeve, Curraj i Epërm është kthyer në një destinacion të ëndërruar për shumë të apasionuar pas aventruës.

Rruga e vetme per të shkuar në Currajn e Epërm është të përshkosh shtigjet në këmbë. Nuk ka komoditetin e asnjë zone tjetër që mund të arrihet me makinë. Duhen disa orë për të shkuar në fshat, ndaj kur të niseni duhet të mblidhni mendjen top se disa ditë do t’ja kushtoni zbulimit të destinacionit unik mes maleve. Në hartë gjurma e Currajt shtrihet mes Valbonës, Thethit dhe liqenit të Komanit. Rrugën nuk mund ta përshkoni vetëm por ju duhet një guidë që njeh mirë shtigjet dhe degëzimet e pyjeve të harlisura që rrethojnë fshatin. Kujdes! Ka vende ku ecja është vërtetë sfiduese ndaj përgatituni me veshje të lehta dhe çantë shpine të mbushur në mënyrë të dobishme.

Curraj i Epërm, foto nga Xheni Kertusha.

Relievi

Rruga për të shkuar në destinacion është një nga më të bukurat dhe një nga më të rrezikshmet gjithashtu. Ata që kanë jetuar dikur në këtë zonë e kanë pranuar fatin dhe natyrën t’ i sfidonte. Komunikimi me botën nuk është i zakonshëm. Shtigjet përshkohen nga mushkat ose kuajt sepse rruga është improvizuar vetiu në shekuj, mespërmes relievit shkëmbor. Pengesa më e madhe që ju sfidon është kapërcimi i Qafës së Rrasës, pas të cilit afrohet edhe më shumë Curraj i Epërm.

Curraj i Epërm, foto nga Xheni Kertusha.

Atraksion unik

Fshati është një atraksion unik. Turistët e huaj i kanë dhënë gjallëri dhe Curraj i ka shpërblyer me pamje mbresëlënëse. Mund të hedhësh sytë sikur je në një terracë sepse zona ngrihet mbi lartësitë e alpeve. Kur të mbërrini do të çuditeni nga rezistenca që kanë bërë banorët për ta përballuar jetesën e vështirë sepse shkrepat e egër që rrethojnë fshatin janë sfidues. Bimësia dhe zhurmat e natyrës do të jenë bashkëudhëtarët tuaj në këtë vend të konservuar mes maleve i cili gjallohet nga shtëpitë-kulla, tashmë të kthyera në bujtina.

Curraj i Epërm, foto nga Xheni Kertusha.

Rikthim në pafajësi 

Në Currajn e Epërm duket sikur jeta sapo ka nisur mbi tokë. Zona ka qenë e pabanuar deri disa vite më parë për shkak të relievit të vështirë. Vitet e fundit ata që guxojnë më shumë ta vizitojnë janë turistët e huaj të cilët mikpriten në bujtinat me etnografi tipike malësore. Ushqimi dhe bulmeti i kullotave alpine është supriza tjetër në fshat. Uji i ftohtë i burimeve malore, oksigjeni pambarim që thithni mes maleve dhe panorama e virgjër ju kanë shkëputur përfundimisht nga rrëmujat ditore.

Curraji Epërm, foto nga Xheni Kertusha.

Explore More