Katedralja e Shën Palit - Into Albania

Katedralja e Shën Palit

Një qendë moderne e katolicizmit

Katedralja e Shën Palit është pikë referimi per besimtarët katolikë të kryeqytetit por mbetet një vend ku të gjithë janë të mirëpritur.  

Pavarësisht se ndërtesa është shumë e re në moshë,  Katedralja e Shën Palit në Tiranë, e njohur ndryshe dhe si Katedralja Katolike, dallohet për stilin e saj unik të arkitekturës. Objekti kumton krishterimin dhe ndjell besimtarët për të kremtuar dashurinë e Zotit.

Vendndodhja

Katedralja ndodhet në bulevardin Zhan D’ Ark. Vendndodhja e saj pranë zonës kryesore të Tiranës e bën lehtësisht të arritshme për këdo qoftë në këmbë apo me mjete të transportit publik dhe privat. Zona ku ndodhet katedralja është e pasur me objekte historike ku ndërthuren e shkuara dhe ardhmja e arkitekturës së Tiranës.

Historia

Ndërtimi i katedrales nisi në fund të viteve ’90 dhe përfundoi në vigjilje të mijëvjeçarit të ri. Për Kishën Katolike, ajo njihet si Kryedioqeza e Tiranës dhe Durrësit. Mban emrin e apostullit Pal, i cili njihet ndryshe si pajtori i Arqidioqezës shqiptare. Shën Pali, në liturgjinë kishtare, është apostulli që përhapi kudo fjalën e Zotit dhe dashurinë e tij dhe e sakrifikoi jetën duke i shërbyer krishtërimit. Statuja e Shën Palit është vendosur në pjesën ballore dhe më të lartë të fasadës kryesore të katedrales.

Arkitektura

Kompleksi kishtar rrethohet nga një oborr i bollshëm brenda të cilit dallon ndërtesa kryesore, ajo e katedrales. Në pjesën e prapme të saj ndodhen zyrat dhe selitë e banimit për meshtarët dhe Arqipeshkvin Metropolit të dioqezës së Tiranës dhe Durrësit. Në oborrrin kryesor ndodhet shtatorja e Nënë Terezës, shenjtores shqiptare të shpallur nga Papa Françesku. Arkitektura e brendshme e ndërtesës është minimaliste, por me mesazh të fortë. Në sallën e madhe, ku mbahen meshat, janë vendosur statuja të apostujve dhe kryqe të dizenjuar që tregojnë “Udhën e Kryqit”. Hapësira e sallës së madhe ndahet nga një ballkon rrethor që përshkon të gjithë harkun e katit të dytë. Përballë qëndron statuja e madhe e Krishtit të kryqëzuar e cila ndriçohet nga dritaret ku janë pikturuar afreske me ngjyra të forta.

Explore More