Bashkëjetesa fetare në Shkodër

Turizëm Kulturor

Bashkëjetesa fetare në Shkodër

Turizëm Kulturor

Xhamia e Plumbit në Shkodër, foto nga IntoAlbania

8 objektet e feve të ndryshme në qytet

E shkuara e vështirë e Shqipërisë, një histori plot luftra, pushtime e diktatura, ka prodhuar edhe disa gjëra pozitive. Një nga më të rëndësishmet, në mos ajo kryesorja, është harmonia fetare në vend, një bashkëjetesë e paqtë midis feve të ndryshme që ekzistojnë në territoret e tij.

Një vend fillimisht i krishterë – dokumenti i parë i shkruar në gjuhën shqipe është një formulë pagëzimi e vitit 1462 –  Shqipëria u kthye në një vend musliman me pushtimin e saj 500-vjeçar nga Perandoria Osmane. Më pas, gjatë komunizmit, marrëdhënia e ndërlikuar me fenë mori një kthesë tjetër, me përjashtimin e plotë të saj nga jeta e vendit. Megjithëse ky përjashtim pati një pasojë pozitive, bashkimin e njerëzve me njëri-tjetrin pavarësisht besimit fetar, shumë objekte fetare u shkatërruan gjatë kësaj periudhe. Fatmirsisht, disa struktura shpëtuan dhe u rindërtuan si dëshmi të mbijetesës pothuajse të mbinatyrshme të të gjitha feve të ndryshme në vend.      

Një nga qytetet në të cilin bashkëjetesa fetare duket më qartazi është Shkodra. Për këtë arsye, midis shumë të tjerave, Shkodra është një qytet që duhet vizituar. Më poshtë, lista e kishave katolike dhe ortodokse bashkë me xhamitë që duhen parë në qytetin e bukur verior:

1. Xhamia e Plumbit

Xhamia e Plumbit është i vetmi monument kulture i kategorisë së parë në gjendje jo rrenoje qe ka mbijetuar gjatë regjimit komunist në vend. Ajo ndodhet në luginën poshtë Kalasë së Rozafës dhe përfaqëson të vetmin monument kulti të periudhës osmane në këtë zonë të Shqipërisë. Për shkak të historisë dhe vlerave arkitekturore që bart, xhamia u mor në mbrojtje nga shteti shqiptar gjatë shekullit të kaluar. Konservimi e shpëtoi nga vala e shkaterrimit të objekteve të kultit gjatë diktaturës. Xhamia e Plumbit është ndërtuar në vitet 1773-1774 nga Mehmet Pashë Bushatlliu Emrin e mori nga veshja me plumb që i’u bë objektit nga ndërtuesit e parë të saj. Ajo iu rikthye komunitetit fetar mysliman dhe besimtarëve pas ndryshimeve politike të vitit 1990.

Xhamia e Plumbit në Shkodër, foto nga IntoAlbania

2. Katedralja e Shkodrës

Një nga më madhështoret në Ballkan, Katedralja e Shën Shtjefnit në Shkodër ka edhe një histori mbijetese të jashtëzakonshme. Katedralja e Shën Shtjefnit, shenjtit pajtor të Shkodrës, njihet gjithashtu edhe si Kisha e Madhe. Një herë e një kohë, katedralja ndodhej brenda mureve të kështjellës Rozafa deri në vitin 1478, kur pushtimi osman i qytetit të fortifikuar e shndërroi atë në xhami. Qindra vite më vone, në vitin 1851, besimtarët shkodranë i kërkuan zyrtarisht Sulltanit në Stamboll që katedralja të ndërtohej në Shkodër. Pas 7 vitesh, në prill të vitit 1858, nisi ndërtimi i Katedrales. Ndërtesa i rezistoi shkatërrimeve të luftrave ballkanike, tërmeteve dhe diktaturës komuniste. Kisha e Madhe është në zemër të qytetit, shumë pranë pedonales së Shkodrës, një prej zonave më të  frekuentuara nga turistët vendas dhe të huaj.

Katedralja e Shën Shtjefnit në Shkodër, foto nga IntoAlbania

3. Kisha Katolike Françeskane

Kisha dhe kuvendi françeskan u shkatërruan menjëherë pas pushtimit Osman në 1479. U deshën mbi 400 vjet që komuniteti françeskan të kthehej në Shkodër për të hapur shkollën e pare fillore françeskane. Pas lejes së fituar me shumë vështirësi nga sulltani, ndërtimi i shkollës e i kuvendit nisi në 1905. Të dëmtuara rëndë gjatë komunizmit, kisha, kuvendi dhe kompleksi shkollor u ri-ndërtuan dhe u rinovuan pas rënies së sistemit. Një krah i manastirit, ai i projektuar nga shkrimtari i famshëm At Gjergj Fishta, është i vetmi që ka mbijetuar në gjendjen e tij origjinale.

Kisha Katolike Françeskane në Shkodër, foto nga IntoAlbania

4. Kisha-Xhami në Kalanë e Rozafës

Rrënojat e kishës-xhami, siç njihet ky objekt i njohur fetar, gjenden në oborrin e dytë të Kalasë së Rozafës. Tashmë xhami, kisha u ndërtua fillimisht në stilin Romantik të shekujve XIII-XV e ishte fillimisht Kisha e Shën Stefanit. Pas rrethimit të Shkodrës, gjatë pushtimit Osman (shek. XV-XX), me braktisjen e kalasë nga popullsia katolike, kisha e shndërrua në xhaminë me emrin e pushtuesit, xhamia e Sulltan Mehmet Fatihut. E vendosur në majë të një shkëmbi me pamje nga liqeni, kisha-xhami është një pikë e bukur për tu ndalur e për te kuptuar më tepër historinë fetare të këtij kombi.  Sot, rrënojat e kishë-xhamisë, që u braktis përfundimisht në vitin 1865, shërbejnë si simbol i pasazheve të mëdha historike që kanë ndodhur në Shqipëri.

Kisha-Xhami në Kalanë e Rozafës, foto nga IntoAlbania

5. Xhamia e Parrucës

Dikur një xhami e vogël me një minare të vetme prej guri, sot, xhamia e Parrucës është e dyta më e madhe në Shkodër. Data e saktë e ndërtimit të xhamisë mbetet e panjohur dhe ndërtesa ka një histori të gjatë e të ndërlikuar. Mendohet se procesi i ndërtimit ka filluar gjatë shekullit XVIII megjithëse ky ndërtim nuk u përfundua kurrë. Më pas, procesi rifilloi në 1937 me një plan të ri, por xhamia u shkatërrua në vitin 1967 nga regjimi i Enver Hoxhës. Më në fund, struktura e re u inagurua në 2007 dhe tashmë përfaqëson një nga pikat kryesore të takimit për komunitetin musliman të Shkodrës.

Xhamia e Parrucës në Shkodër, foto nga IntoAlbania

6. Xhamia Ebu Bekër

Xhamia Ebu Bekër, e njohur gjithashtu si Xhamia e Madhe, është më e madhja në qytetin e Shkodrës. E ndërtuar në 1994-1995, xhamia u rinovua në 2008-ën. Kjo strukturë e re zëvendësoi xhaminë e dikurshe më të madhe të qytetit, atë të Fushë Çelës. Kjo e fundit, e shkatërruar gjatë regjimit komunist, ishte një objekt me vlera të mëdha për qytetin e subjekt i shumë veprave artistike. Në qendër të qytetit, në fund të pedonales së madhe, xhamia e madhe Ebu Bekër mund të akomodojë deri në 1300 njerëz. Dy minaretë e saj janë 41 metra të larta e kupola qendrore prek lartësinë e 24 metrave. Rrënojat e xhamisë së madhe ndodhen krahas xhamisë së re.

Xhamia Ebu Bekër në Shkodër, foto nga IntoAlbania

7. Kisha Ortodokse

Mbi 200 vjet më parë, komuniteti ortodoks i Shkodrës kërkoi ndihmën e Konsullatës Ruse të qytetit për ndërtimin e kësaj kishe. Pas mbledhjes së fondeve dhe sigurimit të lejes nga sulltani, ky komunitet filloi ndërtimin e kishës. Pas shkatërrimit të saj në kulmin e fushatës anti-fetare të 1967-ës, komuniteti ortodoks ndërtoi një strukturë të re, e cila, më pas, u dogj. Kisha e sotme Ortodokse qëndron në të njëjtin vend të kishës së parë ortodokse të qytetit, e cila rezistoi deri në shekullin e XVIII-të.  Ajo ndodhet përtej lumit Bunë, mbi rrënojat e kishës së Shën Kollit.  

Kisha Ortodokse në Shkodër, foto nga IntoAlbania

8. Kisha e Zojës së Këshillit të Mirë

Kisha e Zojës së Këshillit të Mirë në Shkodër, foto nga IntoAlbania

E njohur si Zoja e Shkodrës, kjo figurë ka qenë historikisht një nga më të dashurat e të kremtuarat e qytetit të Shkodrës. Për këtë arsye, kjo kishë është një nga më të vlerësuarat në qytetin e bukur verior. Sipas legjendës, afresku që gjendet këtu, u mor nga muret e saj në 1467 dhe u ruajt për shekuj të tërë në Itali. Data e saktë e kësaj vepre mbetet e panjohur, por hamendësohet se ajo u krijua në shekullin e XIV-ët. Mendohet se mbi 80 artistë vendas kanë punuar për këtë kryevepër, e cila është 45 cm e lartë dhe 40 cm e gjerë. Megjithëse kisha ku ndodhet kjo ikonë është shkatërruar disa here, ajo ka arritur të ruajë vendin e saj të privilegjuar për komunitetin katolik të qytetit.

 

Nga: IntoAlbania

Çfarë ofron Shkodra

Të ngjashme

Të rejat

Zhvilluar nga Frakton & Dizenjuar nga project.graphics