Book Your Stay
Book Your Flight
Kulla e ngujimit është një nga monumentet e rralla të historisë arkitekturore të Malësisë. Ndërtimi unik me histori qindra vjeçare njihet ne Dukagjin si vendi ku qëndronin ata që kishin kryer një akt në kundërshtim me ligjet e kanunit dhe prisnin derisa të arrihej pajtimi.
Kulla e Ngujimit gjendet në Theth dhe njihet si një nga atraksionet turistike kryesore të Thethit. Kulla i përket familjes Koçeku dhe një nga pasaardhësit e saj, Sokoli është guida juaj për të mësuar më shumë rreth detajeve të saj.
Kulla ka strukturë katërfaqëshe me çati tipike alpine. Egzistenca e saj përmendet nga Franc Nopça, një nga studiuesit më të njohur hungarez, i cili ka udhëtuar në malësitë e Shqipërisë dhe shkruan me hollësi për zakont e Ballkanit. Veriu, etnografia e tij dhe kullat si simbol tërheqin çdo vit mijëra vizitorë.
Kulla e Ngujimit, foto nga IntoAlbania.
Mënyra e ndërtimit dhe izolimi me gurë i kullës është karaktëristike për trevat e veriut. Këto fortesa dominojnë ndërtimet e tjera shqiptare në aspektin e vetëmbrojtjes. Dritaret e vogla si frëngji u jepnin përparësi banorëve të kullës të ndiheshin të sigurtë dhe të mos diktoheshin nga armiqtë jashtë fortesës.
Kulla e Thethit e ka kryer edhe funksionin e ngujimit, pasi aty izoloheshin ata që kryenin një akt të rëndë, por edhe funksionin e pajtimit. Në kohën që i ngujuari qëndronte i izoluar në kullë, pleqtë e fshatit nisnin bisedimet mes familjeve që ishin prekur nga konflikti.
Sokol Koçeku, duke lënë pa fjalë vizitorët e Kullës, falë historive të shumta mbi vendin. Foto nga IntoAlbania.
Kulla ka shumë pak orendi por ato janë domethënëse në skenën dramatike të ndërtesës së gurtë. Një sofër druri, disa lëkurë për tu shtrirë, enët modeste për të ngrënë dhe për të pirë ujë dhe pranë tyre një armë. Fortesat e tilla nuk mund të ruheshin nga armiku pa armët e zjarrit. E vetmja periudhë kur kullat e humbën kuptimin e tyre ishte ajo e diktaturës.
Foto nga IntoAlbania.
Kullat janë trashëgimi që falë turizmit po marrin dimensionin e një të shkuare që mund ta prekësh vetë. Mistika dhe fati i njerëzve të kullave ka frymëzuar romanin “Prilli i Thyer” të shkrimtarit Ismail Kadare, një testament artistik që rrëfen fuqinë e jetës mes maleve. Një djalë i ri që duhet të marrë hak për vrasjen e vëllait të tij, dilemat e brendshme dhe fuqia e Kanunit që siç thotë Kadare, nuk harron kurrë as të mirën dhe as të keqen.