Muzeu Arkeologjik i Tiranës - Into Albania

Muzeu Arkeologjik i Tiranës

Si një nga muzetë më të rëndësishëm në vend, këtu do të njiheni me disa nga thesaret më të njohura të arkeologjisë shqiptare. 

Nëse doni të përshkoni të gjitha etapat kronologjike të paraardhësve të shqiptarëve në shekuj, Muzeu Arkeologjik që ndodhet në sheshin “Nënë Tereza”, është një nga vendet e duhura për ta ndërmarrë këtë udhëtim. I organizuar sipas një renditje tematike dhe kronologjike, me mbi 2,100 objekte të shpërndara në pesë salla të mëdha, do të njiheni me periudhat e ndryshme historike të trualli shqiptar dhe gjetjet  përkatëse.

Muzeu Arkeologjik i Tiranës, foto nga IntoAlbania.

Si institucion muzeal, ky ishte i pari i krijuar në Shqipëri pas Luftës së Dytë Botërore, dhe në fillimet e veta i ishte bashkangjitur dhe pavijoni i etnografisë. Me rritjen e madhe të fondit të objekteve arkeologjike, muzeut ju desh në vitin 1958 të zhvendosej në godinën ku ndodhet dhe sot, e t’i dedikohej tërësisht vetëm objekteve arkeologjike.

Pavijoni i Prehistorisë

Përmes dy sallave të dedikuara, do të mund të njiheni me pavijonin e Prehistorisë, ku shfaqen objekte litike prej stralli që flasin për aktivitetin njerëzor nga vitet 160 mijë para Krishitt (Paleoliti) e deri në vitet 7000-1000 para Kr. (Mezeoliti).

Duke vazhduar në periudhën e Neolitit (6000-4000 para Kr.), vihet re rëndësia e bujqësisë dhe blegtorisë në jetën e përditshme. Kjo periudhë njihet për përdorimin e qeramikës, apo objekteve të tjera si sëpata apo çekanë prej druri të lëmuar.

Riton, enë-vazo kulti i gjetur në Dunavec, i periudhës së Neolitit të Mesëm.

Duke ndjekur njëra pas tjetrës vijnë periudhat e Eneolitit, e Bronzit dhe e Hekurit, ku edhe përmes objekteve të paraqitura, vizitori i muzeut mund të dallojë  avancimin e teknikës së punimit të armëve apo veglave të tjera të punës.

Muzeu Arkeologjik i Tiranës, foto nga IntoAlbania.

Pavijoni i Antikitetit

Nga periudha Arkaike, deri në periudhën e Antikitetit të Vonë, në sallën e tretë dhe të katërt të muzeut do të mund të njiheni me disa objekte tejet interesante që flasin për zhvillimin e qendrave qytetare ilire. Ndër objektet më të dallueshme të këtij pavijoni janë armët e ndryshme si përkrenaret, mburojat, heshtat, shpatat etj, të cilat vijnë nga qytete të ndryshme të kohës.

Përkrenare ilire e shekullit të V para Krishtit, e zbuluar në Çinamak.

Që nga figurinat prej balte, stolitë, prodhimet prej qelqi, e deri tek koleksioni i pasur i skulpturave, apo portreteve të perandorëve romakë apo figurave të tjera të rëndësishme të kohës, këto salla do t’ju bëjnë të admironi më së miri artin, kulturën dhe shoqërinë ilire përgjatë shekujve.

Objekte nga Amantia, foto nga IntoAlbania.

Stelë funerare, gjetur në Lapardha në shekullin e 3-të para Krishtit.

Portret aristokrati nga Apolonia, majtas, dhe Shtati i madh djaloshi, po nga Apolonia, shekulli i dytë pas Krishtit.

Kokë burri e shekullit të dytë para Krishtit, majtas, dhe portreti i Hadrianit, djathtas, e shekullit të dytë pas Krishtit. Foto nga IntoAlbania.

Kalorësi (Medauri), shekulli i 3-të para Krishtit, majtas, gjendur ne zonën e Apolonisë. Foto nga IntoAlbania.

Foto nga IntoAlbania.

Objekte të gjetura në Amantia. Foto nga IntoAlbania.

Pavijoni i Antikitetit të Vonë dhe Mesjetës

Rrugëtimi juaj do të mbyllet me sallën e Antikitetit të Vonë dhe Mesjetës, ku nis e vihet re prezenca e fesë kristiane në arkitekturë apo edhe në objektet e jetës së përditshme. Mozaikët, stelat e varreve apo skulpturat arkitektonike janë disa nga objektet më të rëndësishme të ardhura deri më sot nga kjo periudhë.

Photo from IntoAlbania.

 

 

    Çdo ditë 09:00 - 16:00
    Sheshi "Nënë Tereza" Get Directions

Explore More