Muzeu i Bankës së Shqipërisë - Into Albania

Muzeu i Bankës së Shqipërisë

Pozicionuar në zemër të sheshit “Skënderbej”, Muzeu i Bankës së Shqipërisë është një nga institucionet muzeale më moderne e interesante që mund të vizitoni në vend.

Të merrni monedha apo kartmonedha nga portofoli juaj e t’i përdorni si mjet këmbimi, mund të jetë një nga veprimet më të shpeshta e që bëhet gati në mënyrë automatike. Por a doni të dini më shumë mbi historikun e parasë që ka qarkulluar në territorin e Shqipërisë, apo edhe të njiheni me rrugëtimin e valutës që përdorni sot?

I shtrirë në dy kate, kati i I-rë i Muzeut të Bankës së Shqipërisë është krijuar përmes logjikës së një udhëtimi në kohë, ku hap pas hapi njihesh me monedhat dhe kartëmonedhat e qarkulluara në trojet shqiptare gjatë antikitetit, mesjetës, e kështu me radhë deri në ditët e sotme, duke rrëfyer  vlerat historike si dhe numizmatike të tyre.

Kati i II-të i tij,  i dedikohet historikut të vetë bankës, që nga themelimi i saj e deri më sot. Por Muzeu i Bankës së Shqipërisë nuk është vetëm një muze monedhe. Me një fokus të veçantë në edukimin e publikut, kati i II-ë shërben edhe si një qendër informacioni, ku vizitorët mund të informohen në mënyrë interaktive si dhe të zhvillojnë orë mësimore, leksione apo aktivitete të tjera didaktike në fushën e parasë dhe të ekonomisë.

Të drejtat e fotos: Muzeu i Bankës së shqipërisë.

I inauguruar në 30 tetor të vitit 2015, në 77 vjetorin e ndërtimit të ndërtesës së Bankës Kombëtare të Shqipnis , muzeu është tejet modern në infrastrukturën muzeale. Përmes një sistemi audio-guide në dy gjuhë (shqip dhe anglisht), dhomave interaktive, monitorëve touch-screen, projeksioneve në 3d etj, muzeu  ja del të ketë edhe funksion didaktik, duke përmbushur një ndër misionet e bankës, që është ai i krijimit të një kulture financiare.

Historiku i qarkullimit monetar

Falë objekteve dhe një pjese të koleksionit të periudhës së prehistorisë  ofruar nga Instituti i Arkeologjisë,  ekspozita  e Muzeut të BSH fillon me “Thesarin e Torovicës”, ku shohim disa nga 124 sëpatat e shekullit të 10-të para erës sonë, të gjetura në Torovicë të Lezhës. Ato dëshmojnë për një periudhë paramonetare, ku këmbimi bazohej në vlerën e metalit. Ky thesar përbëhet nga sëpata të mëdha të tipit shqiptaro-dalmat, si dhe sëpata më vogla që kishin për rrjedhojë dhe vlerë më të vogël.

Thesari i Torovicës. Të drejtat e fotos: Muzeu i Bankës së shqipërisë.

Të ekspozuara bukur janë koleksionet e monedhave nga shekulli i 5-të para erës sonë, deri në shekullin e 20-të.  Monedha më e vjetër e koleksionit është një stater i ishullit të Eginës, i shekullit të 5-të para erës tonë.

Të drejtat e fotos: Muzeu i Bankës së shqipërisë.

Të drejtat e fotos: Muzeu i Bankës së shqipërisë.

Në koleksion gjejmë gjithashtu monedhën e parë të prerë nga një mbret ilir, një stater argjendi të prerë gjatë kohës së mbretit Monun (shekulli i 3-të para erës sonë), apo edhe monedha të periudhës së mbretit Gent, Aleksandrit të Madh, Filipit të Dytë të Maqedonisë etj.

Nga monedhat  ilire, e të tjera antike si ato romake,  kalojmë tek monedhat e periudhës bizantine si solidët, histamenët apo hyperperat. Ajo që bien në sy është evoluimi i monedhave në disa aspekte, si formë, përbërje, legjenda apo simbolikë. Ato bëhen më të lugëta që të jenë më rezistente , por edhe   në pamje vërehet ndryshimi, pasi perandorët nisin e shfaqen jo më në profil, por në pamje ballore.

Të drejtat e fotos: Muzeu i Bankës së shqipërisë.

Koleksioni vazhdon më tej me monedhat e Perandorisë Osmane, nga shekulli i XV-XX.  Përveç ndryshimeve të tjera, nuk paraqiten më portrete njerëzish në monedhë, pasi në islam vetëm figura e Zotit mund të adhurohet. Vendin e imazheve njerëzore e zëvendësojnë shkrimet apo vula e sulltanit.

Të drejtat e fotos: Muzeu i Bankës së shqipërisë.

Dhoma e Thesarit

Një nga hapësirat më interesante të muzeut është “Dhoma e Thesarit”, e cila ka shërbyer si një dhomë thesari nga viti 1938 deri në vitin 2010. Vizitorët mund të shohin të gjithë elementët e sigurisë me të cilët ishte pajisur kjo hapësirë për mbi 70 vite.

“Dhoma e Thesarit”. Të drejtat e fotos: Muzeu i Bankës së shqipërisë.

Brenda Dhomës së Thesarit është krijuar dhe një hartë e Shqipërisë me monedhat e ari të lëshuara nga Banka Kombëtare prej vitit 1926 deri në vitin 2012. Vlen të thuhet se këto monedha pas vitit 1939 emetohen  vetëm për arsye përkujtimore.

Brenda ambjenteve të “Dhomës së Thesarit”. Të drejtat e fotos: Muzeu i Bankës së shqipërisë.

Kartëmonedhat shqiptare

Muzeu paraqet dhe të gjithë historikun e kartmonedhave shqiptare, duke na njohur me kartmonedhat që kanë këmbyer shqiptarët përgjatë gjithë shekullit të XX. Mjaft vizitorë kalojnë plot kohë në rishikimin e kartëmonedhave të periudhës së diktaturës komuniste, si dhe procesin e realizimit të tyre.

Të drejtat e fotos: Muzeu i Bankës së shqipërisë.

Në një mur xhami ndodhen dhe monedhat përkujtimore të emetuara gjatë dekadave të fundit, ku më e njohura është seria e shtypur  për të përkujtuar 500-vjetorin e vdekjes së Heroit Kombëtar Gjergj Kastrioti Skënderbeu.

Ambientet e tjera

Selia e Bankës Kombëtare njihet për arkitekturën tipike të “Racionalizmit”, realizuar nga arkitekti italian Vittorio Morpurgo. Duke patur në konsideratë se godina u ndërtua për një institucion me peshë siç është banka qendrore, stili i saj shoqërohet nga ambjente të mëdha dhe imponuese, shoqëruar nga linja të forta në fasade.

Në hollin historik, prezantohet historia e institucionit të Bankës Qendrore në Shqipëri, roli i saj në ruajtjen e stabilitetit të çmimeve dhe në garantimin e stabilitetit financiar të vendit, si dhe funksionet e saj kushtetuese. Si shumë hapësira të Muzeut, edhe ky holl ofron mjete të ndryshme audio-vizuale komunikimi si filma, aplikacione dhe kuiz-e.

Ndriçimi, kupola, dhe mozaiku i realizuar me kubikë xhamash të ngjyrosur, e bëjnë këtë një nga ambjentet më impresionuese të të gjithë muzeut. Lartësia e mozaikut është 8 metra, dhe në të paraqiten kronologjikisht dhe simbolikisht etapat e punës në shoqërinë njerëzore. Për realizimin e saj punoi italiani Giulio Rosso, i cili i dha një prekje Art Nouveau të gjithë krijimit të tij. Fabula e paraqitur në mozaik është në linjë me ndërtesën ku ndodhet, pasi në të paraqitet jeta, puna dhe paqja.

Të drejtat e fotos: Muzeu i Bankës së shqipërisë.

Edukim përmes interaktivitetit

Përmes një teknologjie të avancuar, muzeu bëhet tërheqës për të gjitha grupmoshat. Ka një hapësirë dedikuar takimeve dhe prezantimeve për çështje me interes, për grupet e ndryshme në fokus të aktiviteteve dhe programeve edukative të Bankës. Ndërkohë që në dhomën e studentëve, vizitorët mund të marrin informacion audio-vizual mbi tema ekonomiko-financiare përmes guidave të animuara apo të provojnë njohuritë e tyre.

Dhoma e Evropës prezanton funksionet dhe rrugëtimin historik që kanë përshkruar BE-ja, Banka Qendrore Evropiane, Eurozona, si dhe vendosja e marrëdhënieve Shqipëri-BE, përmes filmave, hartave dhe teksteve të ekspozuara me ilustrime grafike.

Të drejtat e fotos: Muzeu i Bankës së shqipërisë.

Nuk mungojnë dhomat për fëmijët e vegjël, që të mund të njihen në mënyrë sa më të natyrshme me konceptet bazike të parasë, por edhe dhomat për studentët, të cilët mund të argëtohen përmes lojërave të ndryshme interaktive. Muzeu ofron dhe hapësirat e filmit, ku të interesuarit mund të shohin filmat dhe dokumentaret me karakter ekonomik që ndodhen në arkivin e bankës.

Të drejtat e fotos: Muzeu i Bankës së shqipërisë.

Dyqani numizmatik

Brenda ambienteve të Muzeut të Bankës së Shqipërisë ju mund të gjeni në shitje një koleksion të pasur monedhash e kartëmonedhash shqiptare. Dyqani numizmatik qëndron i hapur nga e hëna në të premte,   në oraret  09:00 – 12:15 dhe  13:15 – 15:00.

Çfarë duhet të dini para se ta vizitoni?

Për të vizituar Muzeun e Bankës së Shqipërisë duhet të merrni me vete një dokument identifikimi, hyrja është falas. Ai është i hapur të martën, të mërkurën dhe të enjtën nga ora 09:00 deri në orën 15:00. Për grupet është e nevojshme të rezervohet më përpara.

    E martë, e mërkurë, e enjte 9 AM deri në 3 PM
    Sheshi Skënderbej, Tiranë Get Directions

Explore More