Muzeu Kombëtar i Artit Mesjetar - Into Albania

Muzeu Kombëtar i Artit Mesjetar

Turizëm Kulturor

Muzeu Kombëtar i Artit Mesjetar

Turizëm Kulturor

Udhëtim brenda Ngjyrave të Modernitetit dhe të Mesjetës

Muzeu i Artit Mesjetar në Korçë është një vend mes modernes e të vjetrës, i cili, brenda ambientit të tij bashkëkohor, mban ende të gjallë frymën byzantine. I ndërtuar në vitin 1980 dhe rindertuar në 2016-ën, ai shtrihet përgjatë bulevardit “Fan Noli”. E vjetra dhe e reja bashkëjetojnë në mënyrë të natyrshme mes një harmonie ngjyrash. Pikërisht ky, muzeu më modern e më i ri në vend, ruan thesaret më të shenjta e të vjetra të cilat kanë mbijetuar e kaluar shumë pengesa për të arritur në vendin ku gjenden sot. Historia e veprave është më e veçantë dhe e ashpër se në shumë vende të tjera të botës pasi, në Shqipëri, këto vepra ishin të ndaluara e shumë prej tyre u shkatërruan gjatë Komunizmit. Por, jo në Korçë, ku shumë prej tyre u ruajtën ndër vite, më së shumti duke u fshehur. Rasti i Korçës është vërtet i rrallë e, për këtë arsye, ai kërkon një muze po aq të veçantë!

Ndonëse shumë modern, ky muze gjendet në harmoni me atmosferën e ndërtimeve tradicionale të qytetit juglindor. Në brendësi, ngjyrat e tij, zotëruese e mahnitëse, zbukurohen ende më shumë prej objekteve qindra shekullore që e mbushin atë. Ngjyrat janë faktori kyç i këtij muzeu, sallat e të cilit janë aq mjeshtërisht të kombinuara me objektet në ekpozitë sa sytë përfitojnë një eksperiencë të rallë e tepër të çmuar, po aq qetësuese sa edhe rrezatuese. I projektuar në mënyrë gjeniale nga firma e arkitektëve gjermanë Bolles + Wilson, ndarja e muzeut në “eksperienca të ndryshme” e kthen vizitën në këtë muze në një udhëtim me përjetime të fuqishme të njëpasnjëshme. Aty, hapat të drejtojnë natyrshëm drejt veprave dhe kupton, se i rrethuar nga kjo ndërthurrje e përkryer e historisë e bukurisë, nuk lodhesh aspak. Përkundrazi, vështirësia qendron tek kthimi në realitet!

Brenda muzeut gjenden më shumë se 7,000 vepra arti dhe objekte kulturore, kryesisht ikona si edhe punime druri, guri, metali dhe tekstili të cilat dëshmojnë një histori të gjatë të ikonografisë shqiptare. Duke filluar me Murin e Artë i cili mbulon dy kate me lartësinë e tij prej 9.5 m, volumi dhe bukuria e koleksionit të shekullit të 16-të i ekspozuar në të është thjesht befasuese. Në vazhdim gjendet Ballkoni i Bardhë, ku ekspozohen ikonat më të vjetra të Muzeut, ato të shekullit të 14-të. Këtu gjendet edhe më simbolikja ndër to, ikona e ardhur nga Kisha e Shën Mërisë. Një ikonë e rrallë, e krahasuar me pikturën e famshme të fundit të Da Vinci-t, atë më të shtrenjtën në botë, “Salvator Mundi”, në këtë pikturë paraqitet Shën Mëhilli i cili në një dorë mban globin e botës me iniciale të Krishtit e në tjetrën, shpatën. Pavioni i Labirintit të Zi ekspozon punët e artistit të madh Onufri, “e kuqja” e famshme e të cilit shkëlqen si asnjëherë tjetër në këtë sfond të errët e misterioz. Ky labirint është një korridor që lehtëson kundrimin e posaçëm ndaj 20 ikonave të shekujve 16-18-të. Dhoma e Kuqe, në qendër të të cilit është vendosur ikonostasi i shekullit të 18-të i gdhendur me motive të apokalipsit, është nga mjediset më ndjellës e të ngrohtë të Muzeut. Fundi i udhëtimit vjen pikërisht në Dhomën e Parajasës, një ambient hyjnor i cili mban dy kryevepra të vëllezërve Zografë. Me shfaqjen e Konstandinit të madh bashkë me ushtarët gjatë rrugëtimit të tij të gjatë drejt gjetjes së Krishtit të kryqëzuar, mbyllet edhe udhëtimi brenda botës së artit mesjetar.

Nga: IntoAlbania

  • Orari i vizitave Prill - Shtator, Çdo Ditë 9:00 – 19:00 Tetor - Mars, E Martë - E Diel 9:00 - 14:00, 17:00 - 19:00
  • Adresa: Rruga "Sotir Peçi", Korçë Orientohu në hartë
  • Bileta e hyrjes: 700 LEK
  • Kohëzgjatja e vizites: 2 orë
  • Website/Kontakt: http://muzeumesjetar.gov.al/

Çfarë ofron Korça

Të ngjashme

Të rejat

Zhvilluar nga Frakton & Dizenjuar nga project.graphics