Parku Kombëtar i Llogarasë - Into Albania

Parku Kombëtar i Llogarasë

Turizëm Malor

Parku Kombëtar i Llogarasë

Turizëm Malor

Llogara National Park, South Albania

Takimi i përkryer i malit dhe detit

Me pyjet e pafundëm të pishave e dushkut, malet e larta, dhe panoramën mahnitësë të detit, Parku Kombëtar i Llogarasë është një nga hapësirat natyrore më të vizituara të Shqipërisë, vetëm 40 km në juglindje të Vlorës. Megjithëse ai është i hapur edhe në stinët e tjera të vitit, parku vizitohet më tepër gjatë verës, si një vend i freskët gjatë rrugës për në plazhet e famshme të jugut.

Pamje e detit Jon nga Llogaraja, photo source: onetripatatime.com

Përgjatë rrugëtimit që nis pranë Dukatit, ju pret një natyrë spektakolare me pyje të gjelbërta e ushqim të shijshëm tradicional. Gjatë rrugës do të vini re edhe Pishën Flamur, një pishë 100-vjeçare të cilën erërat e forta e kanë përkulur dhe e kanë bërë të duket si një flamur që valëvitet. Në anët e rrugës do të gjeni restorantet e veçanta të Llogarasë, kryesisht të njohur për gatimin e shkëlqyer të mishit. Por, nuk duhen lënë pa provuar kulaçi i  ngrohtë me gjalpë e djathë të zonës, kosi i freskët i thjeshtë apo me arra dhe mjalt, atë të famshmin e Llogarasë, i cili mund të blehet i paketuar anës rrugës.

Pamje e Llogarasë nga Dukati, foto nga Sarah Goolishian.

Qafa e Llogarasë

Gjatë ngjitjes së Parkut, vjen momenti i majës së Qafës së Llogarasë, aty ku perdet e pishave hapen e shfaqet në horizont deti Jon! Pikërisht ky moment është një nga kalimet më të bukura në botë: nga gjelbërimi i freskët në pasqyrimin e diellit të nxehtë mbi det! Qafa e Llogarasë, e cila arrin 1,027 metra mbi nivelin e detit, ofron panorama të jashtëzakonshme ku bluja e detit takohet me atë të qiellit. Nëpër gjarpërimet e rrugës, do mahniteni edhe nga majat e Maleve të Kanalit Keraune, ku spikat Maja e Çikës me 2,044 metra lartësi mbi nivelin e detit. Nga hedhjet me parashutë tek çiklizmi malor, të shumta janë sportet që praktikohen përreth zonës. Jo pak njerëz rikujtojnë episodin e emisionit të njohur të makinave Top Gear, i cili 7 vjet më parë inskenoi një ndjekje policie pikërisht në këtë rrugë skenike.

Gjatë dimrit, parku ofron pamje spektakolare!

Llogara National Park, South Albania

Parku Kombëtar i Llogarasë, Vlorë. Burimi i fotos: Fation Plaku.

Fundi i rrugës

Në fund të zbritjes të Qafës së Llogarasë, keqardhja për mbarimin e rrugëtimit fantastik kalohet shpejt pasi mbizotëron padurimi për t’u zhytur sa më parë në detin e kristaltë të Jonit. Këtu, kënaqësia nuk ka fund! Një rrugë mes malit të ndarë në dy gjysma po aq të ndryshme sa edhe të bukura që të çon drejt detit. Ja përse Llogarja e meriton famën e saj!

Parku Kombëtar i Llogarasë, Foto dhuruar nga Sarah Goolishian.

Si të shkosh: Rruga automobilistike Vlorë-Orikum-Dukat-Llogara (rruga nacionale Vlorë- Sarandë).

Pisha flamur:  Vlorë- Dukat- Llogara, para se të dalësh në qafën e Llogarasë.

Nga: IntoAlbania

Çfarë ofron Vlora

Të ngjashme

Të rejat

Zhvilluar nga Frakton & Dizenjuar nga project.graphics