Pedonalja e Shkodrës - Into Albania

Pedonalja e Shkodrës

Pak më e shkurtër se 1 km, pedonalja shtrihet për rreth 800 m, e shtruar e gjitha me gurë dekorative. Nuk ka shumë vite që Pedonalja e Shkodrës është kthyer në një nga atraksionet turistike më të vlerësuara të vendit. Aty gjen një vend ku bashkohen e tashmja dhe e kaluara, e ku në të gjitha orët e ditës rrethohesh nga vizitorë, vendas e shumë të rinj. Muzika në këto rrugë do t’ju shoqërojë ngado. Në fakt, kjo rrugë ka qënë ndër më të populluarat që prej ndërtimit të saj rreth shek të 20-të. E projektuar nga arkitekti e piktori i njohur vendas, Kolë Idromeno, aty dallohen qartazi detajet e shumta veneciane të cilat Idromeno i solli në Shkodër pas shkollimit të tij në Venecia, rreth shekullit të 20-të. Kur një artist krijon qytetin, rezultati nuk ka si të mos jetë një kryevepër. Ndërtesat jo shumë të larta me oborre të brendshme, dritare të dekoruara deri në detajin e fundit, rrugica të ngushta karakteristike, dhe ndriçim romantik gjatë mbrëmjeve – janë këto disa nga elementet të cilat mbushin syrin e vizitorit me bukuri dhe e kthejnë një shëtitje të thjeshtë në një shijim maksimal të qytetit.

Pedonalja lidh qendrën e qytetit me Muzeun Historik. Përgjatë kësaj rruge, nuk do të shihni vetëm artistët që pikturojnë aty por do të kaloni edhe ndër shumë studio të ndryshme pikture dhe fotografie. Mes tyre, pa dyshim do të gjeni Muzeun Kombëtar të Fotografisë Marubi, i cili mban koleksionin më të famshëm të fotografisë shqiptare. Aty do të  mësoni mbi historinë e fotografisë që prej vitit 1856, kohës së fotografit të parë në Shqipëri dhe Ballkan, Pjetër Marubi, deri në ditët e sotme.

Sheshi i qytetit me dy kahje bulevardesh kombinon godinat e reja me ato të vjetrat të viteve 1800. Në të djathtë, duket vargu i shtëpive karakteristike, i cili përfshin një prej lagjeve më të vjetra të qytetit. Janë këto shtëpi klasike dykatëshe, shumë prej tyre në stilin venecian, të cilat kanë krijuar një atmosferë po aq shkodrane sa edhe universale brenda këtij qyteti të njohur të veriut të Shqipërisë.

    Rruga "Kolë Idromeno", Shkodër Get Directions

Explore More