Book Your Stay
Book Your Flight
Nëse doni të prekni natyrën e liqenet, apo të shijoni piknikun larg zhurmës së kryeqytetit, Kashari është hapësira e përshtatshme. Kjo falë edhe liqeneve artificiale që shtrihen përreth tij, që ju krijojnë mundësinë të rrethoheni nga bukuritë natyrore të kësaj zone.
Vetëm 10 km larg Tiranës, zona e Kasharit po shndërrohet gjithnjë e më tepër në një qendër të rëndësishme të zhvillimit ekonomik. Gjatë dekadave të fundit Komuna Kashar, ka pasur shumë ndryshime dhe gërshetimi i bukurive natyrore me zhvillimin urban e bëjnë këtë zonë tërheqëse për t’u vizituar.
Dëshmitë për ekzistencën e Kasharit janë të hershme. Por dokumentacioni i parë që flet për të, lidhet me betejën që ka zhvilluar Heroi ynë Kombëtar Gjergj Kastrioti Skënderbeu, në fushën e Limuthit në vitin 1456, kundër trupave osmane. Kashari sot është një zonë e mbrojtur arkeologjike, pasi në rrethinat e saj janë gjetur objekte të vjetra mbi 300 vjeçare, që dëshmojnë ekzistencën e një identiteti lokal. Në fshatin Kus në Kashar, do të gjeni rrënojat e kishës mesjetare e xhamisë mbi 300 vjeçare që mban emrin e fshatit, si dhe varrezat e lashta që ndodhen në fushën e Zaltës.
Nëse më parë të ardhurat kryesore të zonës lidheshin me prodhimet bujqësore që furnizonin kryeqytetin, sot kjo zonë po zhvillohet gjithnjë e më tepër në aspektin turistik. Prania e katër liqeneve artificiale – Liqeni i Kasharit, i Gjokajt, Kusit dhe i Mëzezit – të pozicionuara pranë një relievi kodrinor, krijojnë një panoramë piktoreske dhe çlodhëse. Për ta shijuar sa më mirë këtë zonë, ju sugjerojmë të merrni biçikletat. Gjatë fundjavave, grupe të shumta e zgjedhin këtë zonë për piknik, ecje në natyrë apo edhe pedalim.
Përveç natyrës dhe liqeneve, restorantet rreth zonës shërbejnë gatime tradicionale. Kjo zonë njihet për tavën e dheut, fërgesën, japrakët (me mish) si edhe për specialitetin e veçantë të pashaqoftes. Në ambjentet e ngrohta dhe familjare, përveç ushqimeve bio, do të kënaqeni edhe nga mikpritja e vendasve.
Zona e Kasharit njihet për ruajtjen dhe kultivimin e veshjeve tradicionale karakteristike të zonës së Shqipërisë së Mesme. Që në kohët e hershme, zona e Kasharit ka qenë e njohur për prodhimin e veshjeve të zonës me mjetet artizanale. Kjo traditë e vyer është ruajtur dhe në ditët e sotme nga stilistja Edlira Sulaj, e cila ende përdor mënyrën artizanale të qëndisjes. Nëse keni dëshirë t’i shihni kostumet nga afër, Muzeu Artizanal “Tradita Popullore,” i cili ndodhet brenda qendrës tregtare Casa Italia, ka një koleksion prej 400 modelesh.