Kalaja e Bashtovës - Into Albania

Kalaja e Bashtovës

Fortesa e rrallë e ndërtuar në fushë

Historikisht pikë strategjike, monumenti me vlera të larta historike dhe kulturore tashmë është kthyer në qendrën e disa nga eventeve më të ndjekura të viteve të fundit.

E vendosur anës Via Egnatia-s, njërës prej rrugëve kryesore që lidhnin lindjen dhe perëndimin gjatë Perandorisë Romake, Kalaja e Bashtovës ka tërhequr vemendjen e popullit shqiptar dhe atij ndërkombëtar ndër shekuj. Vetëm disa kilometra larg Kavajës, kalaja më shumë se 500-vjeçare dëshmon për gjurmët e qytetërimit dhe civilizimit në vend. Shpallur monument kulture i kategorisë së parë në vitet 1948 dhe 1971, Kalaja e Bashtovës është gjithashtu në listën tentative të UNESCO-s si Vend i Trashëgimisë Botërore.

https://www.instagram.com/matthewjzumwalt/?igshid=iuctfyafmgye

Kalaja e Bashtovës, foto dhuruar nga Matthew J Zumwalt. instagram.com/matthewjzumwalt/

Historia

Kalaja e Bashtovës mendohet se është ndërtuar në fund të shek. 15-të, me pjesën e saj perëndimore të rindërtuar në shek. e 18-të. Ajo ndodhet pranë fshatit Vilë-Bashtovë, në veri të lumit Shkumbin, e rrethuar nga gjelbërimi i jashtëzakonshëm i parkut natyror kombëtar përreth kalasë. Pranë Adriatikut, ajo mbetet e vetmja kala e ndërtuar në fushë në Ballkan! Një herë e një kohë, zona ku ndodhet kalaja ishte qendër tregëtimi e përdorur nga Venedikasit. Më pas, gjatë perandorisë osmane, kalaja u kthye në port me funksion mbrojtjen e tregtisë bregdetare. Për këtë arsye, arkitektura veneciane dhe osmane ndërthurren bukur në strukturën e kalasë.

Arkitektura

E ndërtuar në një fushë të gjelbër pranë luginës së Shkumbinit, kalaja ka një planimetri katërkëndore me muret e saj 9 m të larta dhe 1 m të gjera si edhe shtatë kulla. Tre prej kullave, dy rrethore dhe një drejtkëndëshe, ende qendrojne, si edhe hyrjet e kalasë. Mendohet se kalaja ishte një strukturë dykatëshe dhe se kati i parë ishtë nëntokësor. Objektet e gjetura në brendësi të kalasë ruhen në ambientet e Muzeut Historik Kombëtar në Tiranë.

https://www.instagram.com/matthewjzumwalt/?igshid=iuctfyafmgye

Kalaja e Bashtovës, foto dhuraur nga Matthew J Zumwalt. instagram.com/matthewjzumwalt/

Natyra përreth dhe aktivitetet

Kalaja e Bashtovës rrethohet nga një natyrë jo vetëm e bukur por me një shumëllojshmëri të rrallë. Vetëm 1 km larg saj, gjenden plazhi i Spillesë dhe i Grethit si edhe Divjaka. Lumi Shkumbin është vetëm 500 m larg. Zona përreth saj ruan statusin e parkut natyror kombëtar. Për këto arsye, të shumtë janë ata që i bëjnë vizitë kësaj zone edhe per aktivitete në natyrë si peshkim, ecje, apo thjesht çlodhje larg qytetit.

Eventet

Popullariteti i kalasë është rritur vitet e fundit edhe për shkak të eventeve që organizohen në ambientet e saj madhështore. Zbulo Bashtovën është një festë e përvitshme, me hyrjen falas, e cila feston trashëgiminë kulturore shqiptare. Ajo synon ta vendosi kalanë në hartën e turistëve vendas dhe të huaj. Bashtova Festival` bashkon shumë prej muzikantëve më të njohur në vend në një festë të veçantë e cila mbahet çdo vit e mbledh mijëra pjesëmarrës. Ky festival muzike mbahet si një nga më të suksesshmit të momentit!

Kur të shkoni

Për të përjetuar plotësisht bukurinë e kalasë, ju këshillojmë të shkoni në stinët e ngrohta dhe në mot pa shi, pasi në dimër apo vjeshtë mund të ketë përmbytje në fushën përreth, çka e bën të vështirë, në mos të pamundur, vizitën.

Kalaja e Bashtovës, foto dhuraur nga Matthew J Zumwalt. instagram.com/matthewjzumwalt/

Si të shkoni

Kalaja ndodhet midis Kavajës dhe Rrogozhinës. Në destinacion mund të mbërrini lehtësisht duke marrë autostradën kryesore. Dilni në Gosë dhe vazhdoni rrugëtimin për rreth 12 km deri në fshatin Vile, ku ndodhet kalaja. Një mënyrë tjetër është edhe nga plazhi i Grethit apo i Spillesë ose nga Divjaka, pasi kalaja ndodhet midis këtyre plazheve, rreth 1 km larg secilit.

 

Explore More