Nouvelle Vague - Into Albania

Nouvelle Vague

Koktejle fantastike, muzikë moderne e atmosferë lirie

Nouvelle Vague prej vitesh është një nga lokalet më në zë të Tiranës. Emërtimi, që evokon lëvizjen ikonoklaste të kinemasë franceze, i shkon përshtat një lokali që kur u hap ishte plot risi për kryeqytetin. Që nga lista e gjatë e koktejleve të krijuar nga vet barmanët, tek arredimi modern me pjatat e baterisë të vendosura nëpër mure, Nouvelle Vague ja doli të sillte një valë të re të jetës së natës në Tiranë.

Arredimi i Nouvelle-it, foto nga IntoAlbania.

Tashmë është kthyer në një pikë reference për zonën e ish-Bllokut, dhe përgjatë gjithë ditës do të gjesh të rinj që zgjedhin këtë vend për diskutimet e gjata mes miqsh, apo dhe socializimin me të panjohur.

Muzika është e stilit funk dhe zhanreve të ngjashme, e me një vodka sour me fruta pasioni, rum si unë, apo  koktejlet e tjera speciale të lokalit si nouvelle vague tales, ritmi dhe gjallëria në mbrëmje janë të pashmangshme.

Smoothie-t  e shijshëm janë gjithashtu të këshillueshëm gjatë ditës, në ambjentin e jashtëm të lokalit që është tejet relaksues me ngjyrat, hijen e përhershme dhe lulet dekoruese.

Suksesi i pijeve të Nouvelleit ka qenë i tillë, sa tashmë barman-ët e lokalit do i gjesh kudo ku ka vende turistike, apo evente muzikore të frekuentuara nga klientela besnike, duke i ofruar edhe pse në lëvizje të njëjtat shije. Një shembull i mirë është Bossa Nova cocktail van në plazhin e Livadhit, ku koktejlet e Nouvelle-it mund të shijohen në një nga plazhet më të bukur të jugut përgjatë gjithë verës.

Hapësira jashtë, Nouvelle. Foto nga IntoAlbania.

Gjatë kësaj stine krijojnë dhe bashkëpunime tunduese si ai i Tulla Nouvelle, ku në tarracën e Pallatit të Kulturës në qendër të Tiranës, së bashku me stafin e lokalit të Tullës, përcjellin  atmosferën më berlineze të imagjinueshme në qytet.

Për më tepër, mund të ndiqni faqen e lokalit në facebook apo instagram.

Nouvelle Vague style, photo by IntoAlbania.

Explore More