Pedonalja e Tiranës - Into Albania

Pedonalja e Tiranës

Njihuni me shëtitoren më të bukur të qytetit

Pedonalja e Tiranës është një tjetër vend ku, përveç kafeneve dhe restoranteve, gjen një konfiguracion interesant pikash bashkëkohore, kulturore e historike, për tu vizituar. Këtu, familja mund të parashikojë të kalojë një ditë të tërë larg makinave e rreth njerëzve! Si fillim, kemi Kalanë e Tiranës në zemër të Pedonales, me rrënoja 350 vjeçare, e cila përfaqëson një objekt interesant historik gjatë shëtitjes në Pedonale. Pak metra më poshtë, gjendesh në oborrin e një prej kinemave kryesore të qytetit, Millennium, ku mes freskisë së barit e pemëve që e rrethojnë, mund të shijohet një paradite e qetë. Po aty, gjendet dhe restoranti me të njëjtin emër, që është ndoshta një nga restorantet më elegant e cilësor të kryeqytetit.

Kalldrëmi i Pedonales shtrihet deri buzë bulevardit kryesor, duke të çuar në një tjetër destinacion si Galeria Kombëtare e Arteve. Në katet e Galerisë janë ekspozuar vepra të autorëve të shekullit të 19-të, të fillim shekullit të kaluar dhe të periudhës së Realizmit Socialist. Përbri Galerisë qëndrojnë godinat e Teatrit Kombëtar dhe Teatrit Eksperimental “Kujtim Spahivogli” ku mund te shijohet një shfaqje në mbrëmje.

Explore More