Arkitekturë - Into Albania

Arkitekturë

Falë pozicionimit strategjik në pellgun e Mesdheut, qytetërimet e shumta janë ndërtuar apo kanë kaluar përmes truallit shqiptar, duke na lënë deri më sot një trashëgimi të pasur arkitekturore të periudhës ilire, greko-romake, bizantine, osmane, austro-hungareze, venedikase, italiane, për të mbërritur deri tek arkitektura komuniste apo post-komuniste në ditët e sotme. Rrënojat e shumta të mbërritura nga periudha klasike, reflektojnë një realitet ilir të ndërthurrur ngushtësisht me zhvillimet arkitekturore në botën greko-romake. Parqet arkeologjikë të Butrintit, Apollonisë, Bylisit, Finiqit, Antigonesë, apo qytetet si Durrësi e Shkodra  janë vetëm disa prej destinacioneve më të njohura të Shqipërisë ku mund të përjetosh atmosferën e qyteteve antike.

Nga periudha bizantine spikasin kështjellat, manastiret dhe kishat plot murale e afresko të pikturuara nga mjeshtër vendas. KorçaBeratiVoskopoja dhe Gjirokastra janë disa prej qyteteve ku do mund të admironi këtë trashëgimi të mbërritur deri më sot në kushte mjaft të mira. Me ardhjen e turqve, qytetet shqiptare nisin të ndryshojnë e në to të ndërtohen xhami të shumta. Dy prej qyteteve simbol të periudhës osmane janë Berati dhe Gjirokastra, të cilat sot gëzojnë dhe statusin e Pasurisë Botërore UNESCO.

Gjatë shekullit të XVIII e mandej atë XIX nis të ndihet dhe influenca e Austro-Hungarisë dhe arkitekturës italiane, veçanërisht në qytete si Shkodra apo Korça. E nëse fillimi i shekullit të XX gjen në Shqipëri influencën e shumë prej rrymave evropiane të kohës, ku në veçanti përmendet influenca e arkitektëve italianë gjatë viteve 20-40, gjysma e dytë e shekullit të shkuar karakterizohet nga arkitektura e Realizmit Socialist, që ishte refleks i ideologjisë shtetërore. Simbol i periudhës së komunizmit u kthyen pallatet parafabrikate, të cilat sot një pjesë e qyteteve të Shqipërisë po përpiqen t’i gjallërojnë përmes ngjyrave të ndezura. Ndërkaq projektet kryesore të shekullit të ri janë të krijuara nga studio arkitekture botërore.

New & Trending

Choose a