Rana e Hedhun - Into Albania

Rana e Hedhun

Rana e Hedhun

Megjithëse Shqipëria ka një sipërfaqe të vogël krahasuar me simotrat e saj me dalje në Adriatik e Jon, vija e saj bregdetare ofron një shumllojshmëri plazhesh dhe peizazhesh për t’u pasur zili.

I tillë është bregdeti vetëm 3-4 kilometra larg Shëngjinit, i njohur nga vendasit e tashmë edhe nga turistët me emrin “Rana e Hedhun”. Vetë natyra bujare dhe plotë fantazi e ka krijuar këtë vend dhe si një dorë misterioze, ka lëshuar rërën në mënyrë të shkujdesur.

Rana e Hedhun, one of the stages of the festival. Photo by IntoAlbania.

Për shumë vite një plazh i pashfrytëzuar me një pamje të rrallë mesdhetare, kohët e fundit “Rana e Hedhun” ka fituar vëmendje duke bërë për vete turistë të shumtë, vendas e të huaj.

Rrëzë malit të Rrencit zbret në plazh, ku shumë pak metra brez ranor thuajse shkrihet me detin që është “i mëshirshëm” e nuk e përpin. Rëra e errët krijon një kombinim të të veçantë ngjyrash sapo puthet me detin blu. Nuk kuptohet se nga nis gjithë ky brez ranor prej pak kilometrash, herë duket sikur zbret nga mali e herë sikur grimcohet nga bregu i lagur. Pemët aty pranë të bëjnë hije në këtë plazh ideal për kamping, piknik në stinët e freskëta, apo për të thithur rrezet e diellit bujar të verës shqiptare ditën, ndërsa mbrëmjet dhe nata u përkasin të pagjumëve, atyre që zbardhin mëngjese nën tingujt e muzikës.

Plazhi Rana e Hedhun, foto nga IntoAlbania.

Vera 2019 ka shënuar arritje në organizimin e edicionit të pare Unum Festival. Katër ditë të plota ku deti, Dielli, muzika dhe “rana e hedhun” shkrihen dhe bëhen një me njeriun.

Pikërisht ky interes gjithnjë e më shumë në rritje, ka zgjuar edhe interesin e investitorëve dhe sipërmarrësve të ndryshëm. Kështu, mund ta nisësh ditën buzë detit me një kafe, të kesh fare pranë opsione të shumta për të drekuar dhe të pish Diellin në një kupë, në një nga “Beach Bar-et” e shumta, në perëndim.

Skena mes pishave në Unum Fest, foto nga IntoAlbania.

Për të lexuar artikullin tonë të zgjeruar mbi plazhet e Lezhës kliko këtu.

Explore More