Turet çiklistike më të mira në Shqipëri - Into Albania

Turet çiklistike më të mira në Shqipëri

Ritëm, energji, pasion! Për të gjithë të dashuruarit pas biçikletës, ky mjet lëvizës me dy rrota është shumë më tepër se kaq! Është një filozofi e vërtetë jete, një dëshirë për të qenë të lirë e pa kufij, për të njohur njerëz e vende që në rrethana të tjera nuk do i njihje, një mundësi unike për të njohur më mirë veten!

Për këto arsye, ky sport ka vite që është bërë shumë popullor në Shqipëri, e të shumta janë mundësitë që vendasit apo të huajt kanë për të eksploruar natyrën, historinë apo qytetet shqiptare. Që nga turet e posaçme të ofruara nga veriu në jug, në zbulim të maleve apo deteve, e deri tek ofertat vetjake për shpirtrat e lirë, mundësitë për të pedaluar vendin janë vërtet të shumta.

Turet e veriut

Alpet Shqiptare, me madhështinë e format e tyre, apo legjendat e mitet që ende duket sikur fshihen aty, janë një nga destinacionet më joshëse për turistët. Të pedalosh me peizazhet e rralla të Bjeshkëve të Nemuna, me ajrin e pastër që duket sikur të rigjeneron mushkëritë, e të ndalosh në bujtinat mikëpritëse, është një përvojë që nuk duhet ta humbisni për asnjë arsye nëse jeni të rrahur me pedalimet impenjative.

Për të zbuluar më tepër mbi turet e veriut, kliko në një nga emrat e mëposhtëm:
CycleAlbania, XploreAlbania, Tourradar.

Turet e jugut dhe turet UNESCO

Turi me biçikleta në jug është një nga mundësitë më të mira për t’u njohur me potencialin e plotë turistik të vendit, që përfshin plazhet e mrekullueshme, malet, natyrën e virgjër dhe qytetet muze. Tre nga destinacionet turistike më të njohura të Shqipërisë dhe të mbrojtura nga UNESCO, si Berati, Gjirokastra apo Butrinti, ndodhen në jug të vendit dhe jo larg njëra tjetrës, ndaj turet e ofruara këtu janë vërtet të shumta e i përshtaten interesave të ndryshme.

Për të zbuluar më tepër mbi turet e jugut, kliko në një nga emrat e mëposhtëm:
OutdoorAlbania,  XploreAlbania, Tourradar.

Për turet që përfshijnë vetëm vendet e shpallura pasuri botërore e UNESCO-s, kliko më poshtë:
CycleAlbania, OutdoorAlbania.

Çiklizëm malor 

Nëse doni të përjetoni disa ditë adrenaline dhe emocioni, bëhuni pjesë e tureve të Mountain bike të organizuar përreth vendit nga Tobi Gessler. Ky i ri zviceran i apasionuar pas çiklizmit dhe Shqipërisë, ka krijuar disa ture ku ndërthuren bashkë këto dy pasione.  Zbuloni natyrën e egër shqiptare, vende të pashkelura e fshatra mikëpritës. Tobi mund të flasë dhe shqip, ndaj mos hezitoni ta kontaktoni nëse doni t’i bëni ndonjë pyetje. Për më tepër kliko adresën zyrtare këtu.

Në zbulim të qyteteve e natyrës përreth tyre

Por nëse turet e mësiperme kërkojnë më tepër përgatitje e planifikim, qytetet e vendit mund të eksplorohen përditë dhe nga kushdo. Kompani të ndryshme ofrojnë mundësinë e marrjes me qira ditorë të biçikletave, dhe juve ju mbetet veç të zgjidhni itinerarin apo destinacionin final.

Tiranë

Që nga eksplorimi i bunkerëve të kthyer në muze, tek pedalimi pranë parqeve e liqene, apo destinacioneve të tjera natyrore, Tirana ofron plot itinerare që i përshtaten interesave të gjithësecilit. Është bërë e modës që të apasionuarit pas biçikletës të organizohen së bashku në zbulim të Malit të Dajtit, Kalasë së Petrelës, liqeneve të Tiranës apo zonave përreth. Për ata që kanë përgatitjen më të mirë fizike, nuk mungojnë as rrugëtimet që lidhin Tiranën me qytetet e afërta si Durrësin, Elbasanin etj. Për të parë një listë të itinerareve që mund të ndiqni kliko këtu.

Ajo çka e bën më të thjeshtë lëvizjen me dy rrota në Tiranë është dhe rrjeti i mire i biçikletave me qera që mund të merren në disa pika të ndryshme.  Ecovolis prej disa vitesh është kompania më e njohur për lëvizjen brenda qytetit, me mbi 5 pika biçikletash. Për hartën e vendeve ku mund të merrni me qera një biçikletë ecovolis kliko këtu. Një tjetër kompani ku mund të merrni biçikleta me qera është dhe Evergreen.

Për t’u njohur me kompanitë e tjera që ofrojnë biçikleta me qera ditore apo që mund të organizojnë ture të posaçme sipas kërkesave kliko më poshtë:
CycleAlbania, Evergreen

Shkodër

Njihet dhe si qyteti i biçikletave, dhe pedalimi këtu është vërtet një kënaqësi e jetës! Falë banesave karakteristike, tre lumenjve që takohen me njëri tjetrin, Liqenit të Shkodrës apo pasurive të tjera kulturore që qyteti ofron, nuk mund të jeni në Shkodër e të mos keni tundimin për të lëvizur me biçikletë. Në faqen online të kiriadventures.al, do të gjeni ture të shumta me biçikletë që ja vlen t’i ndiqni.

Për të parë një nga mundësitë e tjera të marrjes me qera ditore të biçikletave në Shkodër kliko këtu. Një nga organizatat që krijon ture të shpeshta me biçikletave është dhe EKO Mendje, ndaj mos hezitoni t’i bëni një telefonatë për të marrë më shumë informacione mbi turet e ardhshme. Për kontakt kliko këtu.
Për listën e itinerareve përkatëse që mund të ndiqni në Shkodër kliko këtu.

Vlorë

Falë plazheve të mrekullueshëm që shoqërojnë bregdetin e Vlorës, e natyrës spektakolare ku malet lartohen mbi det, çiklizmi këtu është një përvojë që nuk duhet humbur. E tek sa amatorët e çiklizmit mund të shijojnë Lungomare-n e re të qytetit, çiklistët më profesionistë nuk ngurojnë të ngjisin Qafën e Llogarasë, që ofron disa nga pamjet më të bukura të gjithë rivierës shqiptare.

Për të parë një listë të itinerareve përkatësë që mund të ndiqni në Vlorë kliko këtu. Për biçikleta me qera në Vlorë kliko këtu.

Korçë

E keni imagjinuar ndonjëherë veten duke pedaluar në qytetin e serenatave dhe rrugicave elegante? Përpos shumë arsyeve që e bëjnë Korçën një nga destinacionet e preferuara turistike në Shqipëri, shëtitja me biçikletë rrugëve të qytetit edhe pse nuk para përmendet, është një nga ato eksperienca që do ju japë vërtet shijen e plotë të Korçës. Për ata që kanë një përgatitje fizike edhe më të mirë, nuk duhen humbur Liqeni i Ohrit, ai i Prespës, apo fshatrat turistikë e shumtë që gjenden përrreth Korçës.

Biçikleta me qera mund të gjeni në Zyrën e Informacionit Turistik, si dhe tek Hosteli i këndshëm Stacioni.
Për të parë një listë të itinerareve përkatëse që mund të ndiqni në Korçë kliko këtu.

Ture të tjera

Për ture të përgjithshme të Shqipërisë, mund të shikoni paketat e ofruara nga Tourradar.
Për organizim të ndonjë turi sipas dëshirës në qytetet e ndryshme të vendit mund të kontaktoni me CycleAlbania.
Për të parë një listë të plotë të itinerareve që mund të ndiqni në të gjithë Shqipërinë kliko këtu.

Nga: IntoAlbania

More From Whats hot?

Zhvilluar nga Frakton & Dizajnuar nga project.graphics