Vende Fetare - Into Albania

Vende Fetare

Nëse doni të bëni një udhëtim shpirtëror në objektet e kultit të feve të ndryshme, Shqipëria do ju ofrojë surpriza të shumta që janë krijuar përgjatë 2000 viteve. Një pjesë e ndërtimeve të kultit kristian u realizuan fillimisht aty ku gjendeshin qëndrat e qyteteve antike. Destinacionet si Butrinti, Apollonia, Antigonea etj, ju mundësojnë një takim sa me antikitetin, aq edhe me rrënojat paleokristiane apo kishat e ndërtuara në këto zona. Përgjatë mesjetës kisha e manastire të shumta u ndërtuan në qytetet shqiptare të kohës, dhe një pjesë e kësaj trashëgimie mund të shikohet dhe sot në  Berat, Voskopojë, Ardenicë, Himarë etj.

Që prej shekullit të XV me ardhjen e pushtuesit osman, nisin të ndërtohen dhe xhami në të gjithë qytetet shqiptare. Në disa raste, xhamitë u ndërtuan aty ku më parë ndodhej një kishë, duke krijuar kështu disa objekte të rralla për simbolikën që përmbajnë, si psh Kisha – Xhami e Shkodrës që ndodhet brenda mureve të Kalasë së qytetit.  Shpesh, kishat dhe xhamitë janë përbri njëra tjetrës, si dëshmi e një bashkëjetesë fetare që ka qenë përherë e pranishme në Shqipëri. Shkodra, Berati, Elbasani, Gjirokastra, Tirana janë disa prej qyteteve ku ndodhen dhe shumë prej xhamive të shpallura monument kulture. Së shpejti do përfundojë ndërtimi në Tiranë i xhamisë më të madhe në Ballkan, e njohur si “Xhamia e Namahzgjasë”.

Interes të madh kanë dhe teqetë bektashianë në Shqipëri, të organizuara nga Kryegjyshata Botërore Bektashiane që ka selinë qëndrore në Tiranë. Disa prej tyre janë të konsideruara vende të shenjta, si Teqeja e Sarisalltikut, apo Teqeja e Kulmakut dhe Tyrbja e Abaz Aliut në Tomor, ku me qindra mijëra besimtarë bëjnë pelegrinazh përgjatë gjithë vitit. Vend më i njohur i pelegrinazhit në Shqipëri është Kisha e Shna Ndout në Laç, ku përveç besimtarëve katolikë, nuk mungojnë pafund besimtarë të feve të tjera.

ll!

New & Trending

Choose a